Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka reaguar pas nënshkrimit të një marrëveshjeje mes Serbisë dhe Rusisë.
Von Cramon përmes një cicërime në Tëitter tha se është një skandal i rëndë.
Ajo shtoi se kjo marrëveshje ndoshta është një sinjal që të ngrihen bisedimet për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
“Ky është një skandal i rëndë. Në mes të luftës së furishme, Ministria e Jashtme e Serbisë nënshkruan planin për bashkëpunimin në të ardhmen me agresorin, Rusinë. Ose ndoshta është thjesht një sinjal për ne që të ngrijmë bisedimet e anëtarësimit në BE, pasi hyrja në BE nuk kalon përmes Moskës”, ka shkruar von Cramon.
Lidhur me këtë reagoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili tha se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, përveç që nuk njeh shtetin e Kosovës dhe krimet e bëra nga regjimi i Millosheviqit, mban edhe lidhje shumë të ngushta me federatën ruse, siç ishte edhe marrëveshja e bashkëpunimit që nënshkroi ministri i jashtëm serb me atë rus, e cila duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike.
Përndryshe, në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq dhe ai i Rusisë, Sergei Lavrov kanë nënshkruar një marrëveshje për të koordinuar politikën e jashtme.