Që kur ishin 17-vjeçarë, Shahë Krasniqi dhe Marigona Suma, nga Mitrovica, planifikuan jetën e tyre jashtë Kosovës. Të ardhmen e tyre ato e shihnin si infermiere në Gjermani, prandaj nisën kursin e gjuhës gjermane në agjencionin “Aurora Center”, në Prishtinë.
Kontrata parashihte që katër nivelet e kursit do të zgjasnin dhjetë muaj. Pastaj, ky agjencion do t’ua mundësonte ndërmjetësimin e shkollimit për Infermieri në Gjermani. Ky ndërmjetësim, sipas kontratës, atyre do t’u kushtonte nga 1 mijë e 500 euro, me mundësi pagese me këste, nga 150 euro për dhjetë muaj.
Pasi paguan këstin e parë, në janarin e 2020-ës ato filluan kursin, mirëpo vetëm dy javë më vonë Krasniqi thotë për KIKS-in se nisën parregullsitë.
Niveli i parë i gjuhës gjermane, i paraparë të përfundonte brenda dy muajve, zgjati pothuajse pesë sish. E njësoj thotë Suma se ngjau edhe me nivelin e dytë të kursit. Kësisoj, kursi i planifikuar të përfundonte për dhjetë muaj, zgjati 1 vit e gjysmë.
Megjithatë, as pas kësaj kohe, Krasniqit dhe Sumës nuk iu mundësua ndërmjetësimi për shkollim në Gjermani. Kjo, pasi që ato thonë se ditën kur paguan këstin e fundit të pagesës, agjencioni kërkoi nga to edhe 500 euro shtesë.
Duke qenë të bindura që janë pre e një mashtrimi, Shahë Krasniqi dhe Marigona Suma, më 26 maj të vitit 2021, ia mësynë stacionit të Policisë “Qendra”, në Prishtinë, për ta denoncuar këtë rast.
Mirëpo, Policia nuk kishte hapur fare rast për këtë çështje, duke i referuar të rejat që këtë ankesë ta drejtojnë në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Zgjidhjen për problemin e tyre nuk ua kishte gjetur as ky departament, i cili u kishte thënë atyre që të drejtohen në Ministrinë e Arsimit. Ndonëse, kjo ministri nuk u ktheu përgjigje të rejave, Ardit Llapatinca thotë se biznesi i tij u gjobit me mbi 1 mijë euro.
Ai e konfirmoi për KIKS-in se nuk kanë pasur akreditim nga MAShTI për organizimin e kurseve në gjuhë të huaja, mirëpo mohon se kanë kërkuar para shtesë nga vajzat. Arsyeja e vetme se pse agjencioni e tij nuk ua mundësoi ndërmjetësimin Krasniqit e Sumës, ai thotë se ka qenë moskryerja e obligimeve të kontratës nga ana e dy studenteve.