Takimi urgjent Kurti-Rama, deklarata e fortë e Milaim Zekës: Kosova është në prag të goditjes nga Serbia, NATO ka dhënë informacion

Analisti dhe gazetari Milaim Zeka ka lëshuar një deklaratë të fortë sot lidhur me vizitën urgjente të Albin Kurtit në Tiranë.

Sipas tij takimi urgjent që u zhvillua një javë më parë mes kryeministrave Kurti dhe Rama nuk ishte për krizën energjitike, por për arsyen se Kosova është në prag të një sulmi ushtarak nga Serbia dhe se NATO ka dhënë informacion.

I ftuar në “Rrethi Katror”, Milaim Zeka tha se Aleanca Ushtarake e NATO-s ka informacion për lëvizjet në Serbi, pasi sipas analistit presidenti Vuçiç ka thërritur në gatishmëri rezervistë e ushtarakë të dalë në pension.

“Nuk dua të spekuloj, por e kam një informacion, nga një zyrtar i lartë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, që presidenti serb i ka thirrur në alarm ushtarakë, të gjithë rezervista dhe ushtarakë të pensionuar. Do të thotë ka një alarm ushtarak, që do të thotë të gjithë ushtarakët serbë janë stacionuar në kufi me Kosovën.

Kjo është arsyeja pse Albin Kurti ndërpreu konferencën dhe erdhi urgjent. Pse erdhi dhe kush ia dha informacionin Edi Ramës? Si anëtar i NATO-s Edi Rama merr informacion të klasifikuar.

NATO në Malin e Zi i jep vetëm Gjukanoviçit, por jo Abazoviçit, për shkak të lidhjeve të tij me Serbinë, Abazoviçi s’ka marrë kurrë informacion të klasifikuar nga NATO. Edi Rama, Gjukanoviçi dhe Kurti e kanë marrë këtë informacion që Kosova është në prag të një sulmi nga Serbia. Pavarësisht retorikës së Vuçiçit, ka që 18-vjeç me këtë retorikë. Ai luan rolin e ujkut dhe qingjit”, u shpreh analisti Milaim Zeka.