Bekë Berisha: Qeveria rrëzohet në pranverë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, në një intervistë për gazetën Nacionale, ka shfaqur pretendimet e tij se qeveria Kurti II do të rrëzohet në pranverë.

Në këtë intervistë për Nacionalen, Berisha ka thënë se rrëzimi i qeverisë do të bëhet me protesta, pasi sipas tij, qytetarët janë të pakënaqur.

“Nuk e di qysh ka me mujt me i përballu ky, se njëherë po hyjmë në një dimër bashkë, e në pranverë me ia kallëxu vendin këtij njeriu. Këtu bëhet fjalë për protesta, se nuk ka me mujt kush me i ndalë njerëzit. Nuk ka vullnet me i kry punët. Këtij iu kanë grumbullu aq shumë punë, nuk e hek njanën prej tavoline. Është egoist i madh, po e farkëton përmendoren e vet, dhe është mshelë në idenë e vet. Unë i garantoj që përmendorja dhe këngët që ia këndon vetit, kanë me i dalë të kqija sepse e ka humbur hapin”, tha Berisha.

I pyetur nëse qytetarët do t’i përkrahnin këto protesta, deputeti i AAK-së deklaroi se pakënaqësia është e madhe.