S ulmi rus mbi Ukrainën nuk është duke e vënë Serbinë në pozicion të pafavorshëm, siç po perceptohet nga shumë shtete.
Kështu vlerësoi shkrimtari dhe publicisti Veton Surroi.
Sipas Surroit, presidenti serb, Aleksander Vuçiq, po i përdor zhvillimet në lindje të kontinentit për të përfituar edhe nga Perëndimi edhe nga Rusia.
“Presidenti Vuçiq është duke e përdorur, për të mirën e tij, një pozicion, i cili dukej i disfavorshëm gjeopolitikisht, por për të është i favorshëm.
I disfavorshëm në kuptimin që shumë vende, përfshirë edhe Kosova, e perceptojnë Serbinë si zgjatje gjeopolitike të Rusisë, por presidenti Vuçiq është duke e përdorur atë duke u vendosur si një shtet që është në gjendje të lëvizë drejt perëndimit, por e ka çmimin e vet për këtë punë dhe derisa të vendoset ky çmim, ai është duke e përdorur”.
“Nga ana tjetër, duke i thënë edhe Rusisë që është një vend i cili mund të jetë i afërt me Rusinë dhe ka një çmim për këtë dhe çmimi për këtë është gazi i lirë dhe një kontratë trevjeçare për gaz, ky bilanc deri tani i ka funksionuar zotit Vuçiq dhe në momentet kur ushtrohet trysni ndaj tij për çështjen e Rusisë, ai e nxjerr në pah kartën e Kosovës dhe thotë që do të jetë kooperativ në çështjet e Kosovës”, tha Surroi në Klan Kosova.
Surroi tutje e cilësoi Vuçiqin si lojtarin më të shkathët të rajonit.
“Zoti Vuçiq është lojtari më i rryer të themi në regjion dhe i shkathët padyshim dhe duke përdorur të gjithë atë atutë, përfshirë edhe ato që janë destabilizuese, për shembull rastin e Malit të Zi, apo përpjekjeve të përhershme destabilizuese në Kosovë,” tha Surroi.