Policia e Kosovës ka arrestuar drejtorin e ndërmarrjes ndërtimore “Beni Construction SHPK”, Arben Shahinin i cili po dyshohet se ka pranuar ryshfet në rastin “Brezovica”.
Prokuroria Themelore në Ferizaj njoftoi sot se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar të dyshuarin A.Sh., në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Mësohet se biznesmeni i ndaluar është Arben Shahini, i cili drejton ndërmarrjen ndërtimore “Beni Construction SHPK”.
Sipas Prokurorisë, i lartcekuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
“I pandehuri A.Sh., ndodhet në ndalim që nga data 12 Shtator 2022, ndërsa, sot, ndaj tij, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, sepse ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti, në vitin 2018 në bashkëkryerje ka kryer veprën veprën penale “Marrja e ryshfetit” në ndihmë nga neni 428 paragafi 2 lidhur me nenin 31 dhe 33 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt.
Ndryshe, deri me tash për rastin e njohur si “Brezovica” janë arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.