Afrika është ndër plazhet më të njohura të Gjirit të Sarandës dhe emri që bart nuk është një gjë “pa lidhje”, sepse aty, në atë territor relaksi, gjen vërtet një copëz Afrike sa i përket bimësisë.
Është ndër ato plazhe pa beton, pa ngucje e shfrytëzim me tahmaqarllëk i çdo centimetri katror, siç ndodh rëndom, me ta marr frymën.
Shija e poseduesve ka krijuar aty një oaz lirshmërie, duke ofruar dhe lulishte madje veç gjelbërimit. Ky i fundit posedon disa lloje bimësh, si palma, bukonvile, lule Saranda, dafina, banania, ndërkohë që nga Afrika vijnë bambuja, ratani, makuta, që në fakt janë lëndë drusore me të cilat është arreduar ambienti i jashtëm.
Pothuajse çdo gjë është natyrë. Përshembull, çatia e lokalit është e përbërë nga 75 mijë fletë palme.
Nga Afrika vijnë dhe terrakotat e shumta që gjenden cep më cep, punime të llojit skulptural, si dhe elementë të tjerë tërheqës, të cilat e bëjnë unik këtë plazh, të pangjashëm në llojn e vet e jo vetëm në Sarandë, por me gjasë në të gjithë bregdetin shqiptar.
Sepse kujtojmë: ai majmuni në Sarandë që u bë lajm me ditë, duke iu servirur publikut sikur gjuajti më shpullë një polic bashkiak, vjen nga ky plazh, pasi posedohet nga pronarët e tij.