Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për qarkullim me letërnjoftime.
Përmes një shkrimi në Facebook, Sveçla tha se Kosova vazhdimisht ka shprehur vullnet që të mos ketë fare këtë lloj dokumenti për hyrje-dalje, për të dyja vendet.
“Ligjshmëria dhe Kushtetushmëria në vendin tonë janë premisat mbi të cilat do të zbatohen marrëveshjet nga procesi i dialogut. Nga 1 shtatori, shtetasit e Republikës së Kosovës që do të udhëtojnë në Serbi apo përmes Serbisë nuk do të pajisen me dokumentin shtesë në pikat e kalimit kufitar.
Ne kemi shprehur vazhdimisht vullnetin tonë që të mos kemi fare këtë lloj dokumenti, as nga ne dhe as nga autoritetet serbe për sa kohë që kjo bazohet në një raport të drejtë mes dy shtetesh”, shkroi Svecla.
Tutje, Svecla tha se reciprociteti është vlerë sepse është edhe barazi.
“Si Republikë e Kosovës jemi plotësisht të interesuar për promovim të plotë të lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovë, pa dallim. Reciprociteti është vlerë sepse është barazi. Urime të gjithë qytetarëve e na priftë e mbara në angazhimet tjera”, shkroi Svecla.