Është publikuar Ligji i ri për pagat në sektorin publik. Pritet që pagat e të gjithë zyrtarëve publikë të ndryshojnë.
Kanë postet më të rëndësishme shtetërore. Për angazhimin e tyre në institucione, presidentja, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit marrin pagë mujore.
Me projektligjin e ri për Pagat, vlera e pagesës mujore për ta pritet të ndryshojë.
Kjo nëse miratohet propozimi i Qeverisë Kurti që vlera e re e koeficientit të jetë 120 euro, nga 239 sa është aktualisht.
E para e shtetit, presidentja, Vjosa Osmani, me këtë llogaritje do të paguhet 2260 euro në bazë të llogaritjeve me koeficientin 18.
Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti si dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, do të marrin një pagë prej 2040 eurosh në muaj.
Por i dyti me pagën më të madhe pas presidentes është kreu i Gjykatës Kushtetuese, që do të ketë 2100 euro pagë.
Nëpër komuna, kryetarët e tyre do të paguhen në vlera të ndryshme, varësisht nga qyteti që drejtojnë.
Mbi këtë kriter, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama do të marrë 1800 euro. E rreth 1500 euro do të jetë paga e kryetarëve të komunave tjera.
Në anën tjetër, me këtë projektligj kanë ndryshuar edhe pagat në arsim e shëndetësi.
Me koeficientin e deritanishëm pritet që një rektor të paguhet 1704 euro, dekani 1536 euro ndërkaq një profesor i rregullt 1488 euro. Mësimdhënësit në shkolla fillore do të paguhen 672 euro, ndërkaq ata në shkolla të mesme afër 700 euro.
Në sistemin shëndetësor një mjek i përgjithshëm pritet të paguhet afër 900 euro.
Mjekët që janë në specializim 960 euro, ndërkaq specialistët afër 1450 euro.
Edhe në institucionet e sigurisë, pagat parashihet të pësojnë ndryshime. Komandanti i FSK-së do të paguhet 1800 euro ndërsa një ushtar rreth 600 euro.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë do të paguhet 1740 euro. Një polic rreth 530 euro, ndërkaq një polic i ri do të marrë rreth 500 euro.
E edhe në sistemin e shërbimit jashtë vendit, ambasadorët e këshilltarët do të kenë paga më të larta.
Njësoj edhe gjyqtarët, prokurorët e po ashtu edhe kryesuesit e Këshillit Prokurorial e Gjyqësor së bashku me të gjithë zyrtarët tjerë.
Në miratimin e buxhetit të vitit të ardhëm do të vendoset për vlerën e të koeficientit dhe atëherë do të dihen saktësisht pagat e sektorit publik.