Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku i ka reaguar zyrtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Hysamedin Feraj, i cili nëpërmjet një postimi në Facebook është munduar ta arsyetojë mungesën e flamurit në paraqitjen e kryeministrit Albin Kurti me sekretarin e NATO-s Jens Stoltenberg, në konferencën e përbashkët.
Feraj ka pretenduar se prapa Kurtit nuk kishte flamur shtetëror, sepse Stoltenberg ka çuar mesazhin që ai dhe Kurti janë të bashkuar, ndërsa Vuçiqit, që kishte flamurin prapa, i ka çuar mesazhin që janë të ndarë.
“Mbasi disa “të ditur” po lexojnë shenjat si fallxhoret filxhanin: Mbrapa Albinit flamuri i NATO-s, mbrapa Vuçiqit flamuri i Serbisë. Stoltenberg dhe Kurti me flamur të përbashkët, Vuçiqi me flamur të vetmuar. Stoltenberg Kurtit: jemi të bashkuar! Vuçiqit: jemi të ndarë!”, ka shkruar Feraj.
Ndërsa Çitaku, me ironi ka thënë se injoranca e njeriut është e pafund.
“Ka pasë thanë një i ditur para shumë kohe, gjithësia edhe ndoshta ka fund, po injoranca e njeriut është definitivisht e pafund”, ka shkruar ajo.