Lista Serbe në krye me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq, sot ka thënë se e kanë për qëllim që ta rrëzojnë Qeverinë Kurti me arsyetimin se ajo punon kundër interesave të serbëve në Kosovë.
“Lista Serbe nuk bashkëpunon me Qeverinë e Albin Kurtit, sepse ajo punon kundër interesave të popullit serb dhe se qëllimi ynë politik është të rrëzojmë Albin Kurtin nga pushteti, i cili është në interes të të gjithëve që duan të jetojnë në paqe në këto zona”, tha Lista Serbe përmes një komunikate për shtyp, raporton Gazeta Express.
Kjo deklaratë e Listës Serbe vjen si kundërpërgjigje e deklarimeve të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, që i bëri dje në televizionin publik.
Sveçla ka thënë se Lista Serbe është e “devalvuar politikisht”, duke shtuar se në Qeveri s’ka as vullnet për të bashkëpunuar me të meqë bashkëpunon me grupe kriminale.
Po ashtu, ministri i Brendshëm foli edhe për video-incizimin e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, për të cilin tha se hyri në Kosovë vetëm për të xhiruar atë video dhe se e ka lëshuar vendin për të shkuar më pas në Serbi.
“Ai nuk është në veri, ai është fut në Kosovë. Ka bërë një video-inicizim ka dalë në Serbi, dhe pastaj është publiku video-incizimi. Prej një krimineli që ka pas rrugët dhe dyert e hapura në Prishtinë, e të mos themi edhe ne veri, tashmë është një ikanak që kërkohet nga institucionet e Republikës së Kosovës. Absolutisht që frikësohet( institucioneve të Kosovës)”, tha Sveçla në RTK.
Edhe për këtë deklaratë ka reaguar Lista Serbe, e cila tha se Sveçla “lëshoi një mori gënjeshtrash për Radoiçiqin”.
“Ai dëshiron të bindë dhe të inkurajojë veten sepse kishte frikë nga harmonia serbe dhe autoriteti i nënkryetarit Radoiçiq, duke mos e kuptuar se sa më shumë e sulmon, aq më shumë përkrahje i jepet atij mes serbëve”.
Po ashtu, kjo parti pretendon se Radoiçiq kishte qenë të dielën në veri dhe ishte bashkuar serbëve që krijuan barrikadat.