Përmes zbatimit të masave të fshehta hetimore, Prokuroria ka siguruar prova të forta që rëndojnë pozitën e grupit që dyshohet se trafikonte kokainë në Prishtinë, e në të cilin dyshohet se bënte pjesë ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija.
Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar një muaj paraburgim ndaj pesë të dyshuarve për trafikim të drogës: Jeton Stanovcit, Astrit Haraqijës, Gëzim Fekës, Albana Xhemajlit dhe Alban Malokut.
Provat përfshijnë disa fotografi të cilat tregojnë Jeton Stanovcin, të dyshuarin si drejtues të grupit dhe të njohur me nofkën ‘Daja’, derisa del nga objekti ku banon Astrit Haraqija, raporton Paparaci.
Sipas dosjes së prokurorit Arben Hoti, ‘Daja’ dhe ish-ministri përgatisnin kokainën në banesën e Haraqijës. Substancën dyshohej se e sillte Mërgim Stanovci, një tjetër i dyshuar si pjesëtar i grupit të organizuar kriminal të trafikut të drogës. Mërgim Stanovci ndodhet në arrati, thuhet në dosje.
“Nga zbatimi i masave të veçanta ku shihet se i pandehuri Jeton Stanovci duke dal nga objekti banesor në rrugën ‘Korabi’, Hyra A, në të njëjtin objekt ku banon edhe Astrit Haraqija e në të cilin objekt Jetoni, Mërgimi dhe Astriti takoheshin duke përgatitur substancën narkotike të cilën e sillte Mërgimi, dhe aty e ndanin në sasi të vogla, më pas të njëjtën ia jepnin Gëzim Fekës për shitje dhe shpërndarje”, përshkruan Prokuroria në dosjen e kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit.