Ministrit Hekuran Murati, ju publikohet kjo video

Pse nuk po blihen 100 kamionët për Prishtinën? Besianë Musmurati akuzon Hekuran Muratin për bllokim të qëllimshëm të marrëveshjes me gjermanët

 

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka publikuar një video në rrjetet sociale, përmes së cilës ka ngritur akuza ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, lidhur me mosnënshkrimin e marrëveshjes me bankën gjermane KfW për blerjen e 100 kamionëve për grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet.

Sipas Musmuratit, procesi i blerjes së këtyre automjeteve po pengohet nga mosveprimi i ministrit Murati, të cilin ajo e akuzon se qëllimisht nuk po e nënshkruan marrëveshjen e nevojshme.

 

Prmes videos së publikuar, nënkryetarja ka paralajmëruar se do të paraqesë historikun e plotë të kësaj çështjeje, duke u mbështetur në dokumente dhe komunikime zyrtare.

“Çka po e mban peng blerjen e 100 kamionëve për Prishtinën? Krejt historia, me fakte e dokumente zyrtare, nga fillimi e deri sot”, ka shkruar Musmurati.

Ajo ka ftuar qytetarët që të njihen me materialin e publikuar dhe të krijojnë vetë një vlerësim lidhur me përgjegjësitë për vonesat në realizimin e projektit.

“Dokumentet flasin. Shikojeni dhe gjykojeni vetë!”, ka shtuar nënkryetarja e Prishtinës.

Në qendër të kësaj çështjeje është marrëveshja me bankën gjermane për zhvillim KfW, e cila, sipas pretendimeve të Musmuratit, është e rëndësishme për sigurimin e 100 kamionëve të rinj për nevojat e kryeqytetit.

Blerja e këtyre automjeteve synon të përmirësojë kapacitetet për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave, një nga shërbimet më të rëndësishme komunale për qytetarët e Prishtinës.