Vjosa s’ndalet perveq LVV-se tash paska përplasje edhe me LDK-ne

Deklaratat e ish-presidentes së Kosovës, tash deputete e LDK-së, Vjosa Osmani, në një intervistë televizive kanë rikthyer në vëmendje përplasjet e saj me ish-bashkëpartiakët, përfshirë ish-kryeministrin Isa Mustafa dhe disa deputetë të kësaj partie.

 

Gjatë paraqitjes në Kanal10, Osmani ka kritikuar qeverisjet e kaluara, duke përmendur në veçanti qeveritë e udhëhequra nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Ajo ka thënë se Qeveria Kurti duhet të përmirësojë punën e saj dhe të mos përsërisë gabimet e qeverive paraprake.

“Le të përmirësohen, jo të bëhen kopje të këqija të Isës dhe Hashimit. Duhet të kenë më shumë ambicie. Edhe unë si presidente për dy vite është dashur të merrem me pasojat e dëmeve që i kanë bërë të tjerët përpara”, ka deklaruar Osmani.

 

Lidhur me këtë deklaratë, lajmi.net ka kontaktuar ish-kryeministrin Isa Mustafa, i cili ka dhënë një përgjigje të shkurtër ndaj kritikave të ish-presidentes.

“Është dëm të merrem me të. Është katandisur keq”, është shprehur Mustafa.

Por, kritikat e Osmanit nuk janë ndalur vetëm te ish-kryeministrat. Ajo ka folur edhe për zhvillimet brenda LDK-së, veçanërisht për qëndrimin e gjashtë deputetëve që kundërshtuan marrëveshjen ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me çështjen e presidentit.

Osmani ka thënë se rikthimi i saj në LDK është bërë me qëllimin për të kontribuar në parti dhe se, sipas saj, nuk ka kërkuar as pozitë partiake dhe as përfitime të tjera.

“Ata thanë para se të kthehet kërko falje, dhe unë ju thash jo, nuk kërkoj falje për asgjë. Sepse LDK-ja më ka lutur me u rikthy. Asgjë nuk i kam kërkuar LDK-së, as nuk i kam kërkuar pozicion partiak, as sot nuk i kërkoj asgjë. Jam kthyer me ndihmu. Natyrisht që SHIK-ut i pengon kjo. Po pse disa po veprojnë në interes të tyre brenda partisë është e tmerrshme, është e dëmshme”, ka deklaruar ajo.

Një pjesë tjetër e intervistës iu kushtua edhe ish-kryeministrit Avdullah Hoti dhe mënyrës se si ishte formuar qeveria e tij pas rrëzimit të Qeverisë Kurti në vitin 2020.

Osmani ka pretenduar se formimi i Qeverisë Hoti ishte bërë përmes votave të vjedhura, duke iu referuar edhe votave që ajo kishte marrë në zgjedhjet e asaj kohe si kandidate për kryeministre.

Ajo ka kritikuar gjithashtu qëndrimet e disa figurave të LDK-së ndaj Listës Serbe dhe raportin e tyre me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Ndoshta Hoti e kupton që fakti që i ka kontrabanduar votat që i kam marrë unë si kandidate për kryeministre dhe me vota të vjedhura dhe me vullnet të vjedhur të qytetarëve ka krijuar atëherë Qeveri, ka qenë gabim”, ka thënë Osmani.

Duke iu referuar deputetes Hykmete Bajrami, ajo ka kritikuar deklaratat e saj lidhur me Listën Serbe, ndërsa për Hotin ka përmendur edhe një takim me presidentin serb, duke e kritikuar për përdorimin e shprehjes “razumem”.

Sipas Osmanit, këto qëndrime kanë dëmtuar LDK-në dhe kanë ndikuar në zhvillimet e brendshme të saj.

Pas këtyre deklaratave ka reaguar edhe Avdullah Hoti, i cili përmes një postimi ka kritikuar atë që e ka cilësuar si “turizëm politik”, pa e përmendur drejtpërdrejt Osmanin në reagimin e tij.

“Turizmi politik është aktivitet joetik në politikë. Koha po i sqaron të gjitha. Kur mbaron sezoni i turizmit politik, mbetesh në rrugë, i frustruar, i nervozuar, deri në ofertën turistike politike të radhës. Matrapazët politikë edhe mund ta gjejnë ndonjë ofertë. Por shtëpia nuk zëvendësohet me strehën e kundërshtarit, që të shfrytëzon për interesa të veta. Sërish, koha po i nxjerr në dritë të gjitha të vërtetat”, ka shkruar Hoti.

Ndërkohë, lidhur me deklaratat e Osmanit, lajmi.net u ka dërguar pyetje edhe deputetëve të LDK-së, Hykmete Bajrami dhe Armend Zemaj, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje nga ta.