Seanca e parë ndaj Xhevat Krasniqit, ish-profesor në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, është ricaktuar për të premten, më 13 nëntor, në orën 09:30. Krasniqi akuzohet për veprën penale “Ngacmimi seksual”.
“M’ke thonë ‘ko me t’bo masazh’”, ka deklaruar njëra nga studentet, duke rrëfyer çfarë pretendon se i kishte thënë ish-profesori.
Në aktakuzë, Prokuroria përshkruan deklaratat e katër studenteve të Fakultetit të Mjekësisë, të cilat në këtë rast figurojnë si të dëmtuara dhe dëshmitare. Sipas Prokurorisë, deklaratat e tyre përputhen me njëra-tjetrën dhe janë ndër provat mbi të cilat mbështetet akuza.
Gjykimi ishte paraparë të niste rreth dy muaj më parë, por nëntë seancat e planifikuara në bllok u shtynë njëra pas tjetrës.
Xhevat Krasniqi prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.