Problemet me municionin 40-milimetërsh turk, të përdorur në granatahedhësin automatik amerikan MK-19, nuk janë të izoluara. Një tjetër incident i ngjashëm kishte ndodhur edhe në muajin qershor të këtij viti, disa muaj para rastit të shtatorit në Babaj të Bokës.
Gazeta Sinjali ka siguruar pamje nga incidenti i qershorit, ku shihet momenti kur municioni 40-milimetërsh shpërthen brenda tytës së granatahedhësit automatik amerikan MK-19.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, si pasojë e këtij incidenti është lënduar edhe një pjesëtar i forcave elitare.
Në video shihet momenti i shkrepjes, kur në vend të daljes normale të municionit nga arma, ndodh një shpërthim i fuqishëm brenda tytës, i përcjellë me tym dhe reagim të menjëhershëm nga personat e pranishëm.
Ky rast ngre edhe më shumë pikëpyetje për sigurinë e municionit turk që është përdorur gjatë ushtrimeve ushtarake.
Ajo që e bën edhe më shqetësues këtë zhvillim është fakti se bëhet fjalë për një problem që, sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, ishte shfaqur muaj më herët dhe jo për një incident të vetëm apo të rastësishëm.
Pavarësisht incidentit të qershorit dhe shqetësimeve që lidhen me funksionimin e këtij municioni, përdorimi i tij kishte vazhduar edhe më tej, derisa në muajin shtator ndodhi një tjetër shpërthim i ngjashëm në Babaj të Bokës, duke rrezikuar jetën e një pjesëtari të FSK-së.
Pra, bëhet fjalë për një problem të përsëritur, për të cilin duket se nuk janë ndërmarrë masa të mjaftueshme për të parandaluar incidente të tjera.