Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm brenda një afati të arsyeshëm kohor në rastin e Avni Matoshit, lidhur me një kontest pronësor që kishte zgjatur më shumë se 23 vjet.
Gjykata ka publikuar aktgjykimin në rastin KI292/25, të parashtruar nga Avni Matoshi, përmes të cilit ishte kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev.nr.56/2024 të Gjykatës Supreme, të 18 korrikut 2024.
Në vendimin e saj, Kushtetuesja e ka shpallur kërkesën të pranueshme dhe ka konstatuar se Gjykata Supreme nuk ka shkelur nenin 31 të Kushtetutës, që garanton të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, as nenin 46 për mbrojtjen e pronës, dhe as nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Megjithatë, Gjykata ka konstatuar shkelje të paragrafit 2 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të moszgjidhjes së kontestit brenda një afati të arsyeshëm kohor.
Rasti kishte të bënte me vlefshmërinë dhe efektet juridike të një kontrate të shitblerjes së paluajtshmërive, të lidhur më 1 gusht 2000, në vlerë prej 400 mijë markash gjermane, nga të cilat ishin paguar 200 mijë.
Mustafë Matoshi, babai i parashtruesit të kërkesës, kishte ngritur padi për vërtetimin e pronësisë dhe dorëzimin e pronës në posedim. Pas vdekjes së tij, procedurën e kishte vazhduar trashëgimtari, Avni Matoshi.
Gjatë procedurës, gjykatat kishin nxjerrë disa vendime të ndryshme. Gjykata Themelore, në dy raste, kishte aprovuar kërkesëpadinë dhe kishte vërtetuar të drejtën e pronësisë së parashtruesit mbi paluajtshmëritë kontestuese. Mirëpo, më 7 nëntor 2023, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe e kishte refuzuar kërkesëpadinë. Më pas, më 18 korrik 2024, Gjykata Supreme e kishte refuzuar si të pathemeltë revizionin e parashtruesit.
Para Gjykatës Kushtetuese, Matoshi kishte pretenduar se gjatë procedurës ishte shkelur e drejta për gjykim të drejtë, duke ngritur çështje që ndërlidheshin me zbatimin e gabuar të ligjit, mungesën e arsyetimit të vendimeve gjyqësore dhe tejzgjatjen e procedurës. Ai kishte pretenduar edhe shkelje të së drejtës për mbrojtjen e pronës.
Sa i përket pretendimeve për zbatimin e gabuar të ligjit dhe mungesën e arsyetimit të vendimeve, Kushtetuesja vlerësoi se gjykatat e rregullta i kishin shqyrtuar pretendimet thelbësore të parashtruesit dhe kishin dhënë arsyetim të mjaftueshëm për vendimet e tyre.
Gjykata Supreme kishte vlerësuar se kontrata e vitit 2000 nuk mund të shërbente si bazë juridike për fitimin e pronësisë, pasi nuk ishte lidhur në formën e paraparë me ligj, nuk ishte përmbushur në tërësi nga paraardhësi i parashtruesit dhe ky i fundit nuk kishte hyrë në posedim të paluajtshmërive.
Kushtetuesja, në këtë drejtim, nuk kishte gjetur zbatim qartazi të gabuar të ligjit apo përfundime arbitrare nga gjykatat e rregullta.
Ndërkaq, lidhur me kohëzgjatjen e procedurës, Gjykata ka vlerësuar se natyra e kontestit civil nuk ishte aq e ndërlikuar sa të justifikonte zgjatjen e tij për më shumë se 23 vjet.
Në aktgjykim thuhet se parashtruesi nuk kishte kontribuar në tejzgjatjen e procedurës përmes veprimeve të tij, por kishte ndjekur hapat proceduralë për realizimin e së drejtës së pretenduar mbi pronën. Sipas Gjykatës, gjykatave të rregullta u ishte dashur më shumë se 23 vjet për ta zgjidhur këtë kontest.