Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos pas takimit me kryenegociatorin, Jeton Zulfaj, ka thënë se “ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara” janë të papranueshme.
Në një shkrim në rrjetin social “X”, Kos ka thënë se “ato janë hap prapa në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian”.
“Megjithatë, ndryshimet e fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të papranueshme. Miratimi dhe zbatimi i tyre do të ishin në kundërshtim me zotimet e Kosovës ndaj BE-së. Ato do të përbënin një hap serioz prapa në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian”, ka thënë ajo.
Ndërkohë, për takimin njoftoi edhe Zyra e Kryeministrit Albin Kurti ku përmendi se aty u fol në lidhje me ligjin.
“Në takim u diskutua edhe për zhvillimet aktuale, përfshirë ligjin e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për Dhomat e Specializuara. Kryenegociatori Zulfaj shpjegoi kontekstin e miratimit të ligjit duke theksuar që verdikti i 16 shtatorit ishte i padrejtë dhe që pret të korrigjohet në shkallën e apelit për çka qeveria tashmë ka formuar një grup punues për strategji shtetërore. Ai theksoi se Kosova është demokraci funksionale me ndarje të pushteteve, e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit”, thuhet aty.