Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i ka bërë thirrje kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, që të japë pëlqimin për ofertën e Albin Kurtit, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja dhe Bekim Sejdiu të rikthehet në garën për president.
Murati ka thënë se mjafton që Hamza të thotë “po” për votimin e presidentit dhe, sipas tij, Kurti e kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të shkojnë për ta bindur Sejdiun që të rikthehet në garë.
Reagimi i Muratit vjen pasi Sejdiu, në një prononcim për “Infokusin”, ka thënë se e ka njoftuar Kurtin dhe Abdixhikun se është tërhequr nga gara, duke shtuar se aktualisht nuk ndodhet në Kosovë.
Sejdiu i bëri këto deklarime pas konferencës së Kurtit, i cili kërkoi gjysmën e votave të PDK-së për të dhe u zotua se do ta votonte në lexim të dytë projektligjin për Dhomat e Specializuara të enjten.
Postimi i plotë:
Disa medie u nxituan që ta rikonfirmojnë tërheqjen e Prof. Bekim Sejdiut për President të Republikës në vend se ta marrin përgjigjen nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, për ofertën e re të Kryeministrit Kurti:
edhe me vetëm gjysmën e grupit parlamentar të PDK-së që e votojnë qoftë edhe kundër Bekim Sejdiun për President, ne i japim votat tona për Projektligjin mbi Gjykatën Speciale në lexim të dytë!
Të dashur gazetarë, pyeteni së pari Hamzën.
Le të thotë Bedri Hamza PO, dhe sigurisht që me Prof. Bekim Sejdiun mund të shkojnë e flasin Kurti e Abdixhiku për ta bindur që të mos shkojë vendi në zgjedhje të reja.