Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, në lidhje me reciprocitetin në dokumente me Serbinë.
Molliqaj e ka pyetur Kurtin pse nuk po e vendos reciprotitetin në tregti. Pastaj është përgjigjur vet, duke thënë se aty preken interesa të mëdha.
Sipas Molliqajt, Kurti po i rrezikon qytetarët.
Reagimi i plotë i Molliqajt, pa ndërhyrje:
Fetishizimi i reciprocitetit
Kur jemi te reciprociteti me Serbinë, pse jo në fushën e tregtisë? Sepse më vështirë? Sepse aty preken interesa më të mëdha? Sikur ta kishin për qëllim reciprocitetin, atë do ta manifestonin edhe në fushat tjera shumë më vitale. Bilancin tregtar e kemi negativ. Importi nga Serbia vetëm sa është rritur.
Sfondi prej nga kjo qeveri po performon parimësinë është i natyrës konfliktuoze. E konfliktet e kontrolluara janë mashtrime me pasoja të pakontrollueshme. Pasiguria e tillë lëndon qytetarët, ngado.
Kryeministri tash ka vendosur që ta thjeshtëzojë nocionin e sovranitetit. E ka varur për dokumente kalimi, targash, e nesër kush e di në çka!
Por, marrëveshje përfundimtare nuk ka. Të paktën me këtë qasje. E për keqardhje është edhe opozita parlamentare, duke e mbështetur pa kritikë dhe të zënë në faj, një udhë pa krye që sjell rreziqe.
Ka zgjedhur elemente të vogla (në krahasim me madhësinë e marrëveshjes përfundimtare) për ta ushtruar pushtetin, kur dihet se kjo çështje ka nyjën të lidhur në dialogun.
Prej nga ky zell për respektim afatesh në vlugun e bisedimeve? A e forcon ky hap pozicionin e Kosovës në negociata, apo pushtetin e Kurtit brenda?
Kosova e vogël për ambiciet e mëdha të Kurtit.