Profesionistë shëndetësorë nga Kosova do të kenë mundësi të trajnohen në Universitetin e Trakisë në Turqi, në kuadër të një marrëveshjeje pesëvjeçare me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës.
Bashkëpunimi, pjesë e projektit “Urat e vëllazërisë”, synon zhvillimin profesional të personelit, shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, si dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë.
Protokolli u nënshkrua nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Fikrim Damka, dhe rektori i Universitetit të Trakisë, Mustafa Hatipler, gjatë një ceremonie në Qendrën e Kongreseve të Ballkanit. Zëvendësrektori dhe dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Sedat Üstündağ, bëri të ditur se pjesëmarrësve nga Kosova do t’u ofrohen trajnime teorike dhe praktike, duke shfrytëzuar kapacitetet shëndetësore dhe arsimore të universitetit.Damka theksoi rëndësinë që marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë të zbatohen në praktikë dhe të sjellin përfitime konkrete. “Kosova është një shtet i ri dhe ka nevojë për përvojë. Falë këtij protokolli, mjekët, stafi akademik, specialistët dhe infermierët tanë do të përfitojnë nga përvoja e pasur e Universitetit të Trakisë”, u shpreh ai.
Rektori Hatipler tha se universiteti synon t’i ndajë me Kosovën njohuritë, përvojën dhe kapacitetet e tij në shëndetësi, duke e cilësuar këtë si pjesë të bashkëpunimit më të gjerë me vendet e Ballkanit. Edhe dr. Ardian Shefkiu, nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, vlerësoi se marrëveshja do të kontribuojë në zhvillimin profesional të punonjësve dhe në përmirësimin e shërbimeve për pacientët në Kosovë.Guvernatori i Edirnes, Yunus Sezer, shprehu dëshirën që kjo nismë të shtrihet edhe në vende të tjera të Ballkanit, veçanërisht në Bullgari dhe Maqedoni të Veriut. Në ceremoni mori pjesë edhe konsulli i përgjithshëm i Kosovës në Stamboll, Dren Zeka. Pas nënshkrimit, delegacioni vizitoi Shërbimin e Urgjencës në Spitalin e Universitetit të Trakisë, ku po zhvillohen punime rinovimi dhe përforcimi. /Urgjent.com/Përgatiti: Ylli Gashi