Ngjarje e rëndë në këtë familje kosovare mes vëllezërve

Një mosmarrëveshje familjare mes dy vëllezërve në fshatin Rusinovc të Lipjanit ka eskaluar mbrëmjen e së dielës në një rast të rëndë, që po hetohet si vrasje e rëndë në tentativë.

 

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 19:30, Policia është njoftuar për një konflikt familjar, ndërsa njësia patrulluese ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, viktima, A. A, 61-vjeçar, ka deklaruar se është sulmuar nga vëllai i tij, E. A, 64-vjeçar.

 

Dyshohet se gjatë përleshjes, i dyshuari e ka goditur vëllain me një kaçavidë në fyt, në gjoks dhe në krah.

Si viktima, ashtu edhe i dyshuari, kanë marrë trajtim mjekësor në QKUK.

Në kuadër të hetimeve janë intervistuar edhe tre dëshmitarë, ndërsa në rast janë përfshirë njësitet hetimore të stacionit dhe hetuesit rajonalë të krimeve të rënda.

Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar për krime të rënda, rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë në tentativë”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Hetimet lidhur me rrethanat dhe motivin e incidentit po vazhdojnë.