Përplasja mes Drilon Ramës dhe Amarildo Bakajt duket se është larg përfundimit. Dy boksierët kanë vazhduar shkëmbimin e mesazheve të forta në rrjetet sociale, ndërsa tashmë sfidat për një përballje në ring janë bërë edhe më të drejtpërdrejta.
Gjithçka kishte nisur më herët, kur Driloni reagoi ndaj deklaratave të Amarildos dhe e sfidoi që mosmarrëveshjet mes tyre t’i zgjidhnin si sportistë, përmes një meçi.
Edhe Bakaj reagoi publikisht, duke e mbajtur të hapur përplasjen, por së fundmi ka shkuar edhe më tej me provokimet.
Amarildo publikoi një fotografi të realizuar me inteligjencë artificiale, ku Driloni paraqitet në gjunjë përballë tij. Krahas imazhit, ai i drejtoi rivalit një mesazh të gjatë.
“Jam personi i gabuar me kërku famë te unë. Vetë ia nise për famë, tash s’ta lë shpirtin rehat deri sa të përballesh me mua”, shkroi ndër të tjera Bakaj.
Ai foli gjithashtu për vendimin e tij për të mos u ndeshur me boksierë që përfaqësojnë flamurin shqiptar, ndërsa thumboi Drilonin për faktin se në karrierën sportive përfaqëson Gjermaninë.
Por përgjigjja e fituesit të “Big Brother VIP Kosova” nuk vonoi.
Nga plazhi, Driloni publikoi një video ku iu drejtua drejtpërdrejt Amarildos, duke kërkuar që tashmë të caktohet përballja mes tyre.
“Kur po e caktojmë meçin? Po kam qejf me ta ‘ndreqë’ fytyrën”, u shpreh Driloni.
Kështu, ajo që nisi si një përplasje përmes deklaratave në rrjetet sociale po kthehet në një sfidë gjithnjë e më konkrete për një përballje në ring.
Megjithatë, deri tani nuk është konfirmuar zyrtarisht ndonjë meç mes Drilon Ramës dhe Amarildo Bakajt, dhe nuk ka një datë apo organizator të bërë publik.