Vjedhje e rëndë ndodhi në këtë biznes të madh të Kosovës

Një vjedhje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Podujevë, ku persona ende të paidentifikuar kanë depërtuar me forcë në një nga lokalet e rrjetit HEB’S dhe kanë arritur të largohen me arkën ku ndodheshin mijëra euro para të gatshme.

 

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, ngjarja ka ndodhur më 20 korrik, rreth orës 04:10, në kafiterinë HEB’S, e cila operon brenda Qendrës Tregtare “Park Plazza”, në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Rasti është raportuar menjëherë në Policinë e Kosovës, ndërsa njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar me menaxheren e pikës për të mbledhur informacionet e para lidhur me grabitjen.

Sipas burimeve, autorët dyshohet se kanë hyrë me forcë në objekt dhe kanë shkëputur arkën e fiksuar në mur. Brenda saj ndodheshin rreth 10 mijë euro para të gatshme, të cilat ishin të ardhura nga qarkullimi ditor i biznesit.

Përveç shumës së konsiderueshme të parave, të dyshuarit kanë shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale gjatë kryerjes së grabitjes. Sipas të dhënave paraprake, është dëmtuar dera hyrëse dhe një pjesë e murit të lokalit, me një vlerë të vlerësuar rreth 5 mijë euro.

Po ashtu, gjatë depërtimit në lokal është dëmtuar edhe një pajisje elektronike, vlera e së cilës llogaritet të jetë rreth 6 mijë euro, duke e rritur edhe më shumë dëmin financiar të shkaktuar biznesit.

Në vendngjarje kanë dalë hetuesit e Stacionit Policor në Podujevë, njësia e krimteknikës dhe Njësia Rajonale e Hetimeve, të cilat kanë kryer ekzaminimin e detajuar të lokalit dhe kanë mbledhur prova materiale që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa Policia e Kosovës ka nisur hetimet intensive për identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse në objekt kanë funksionuar kamerat e sigurisë apo nëse janë siguruar pamje që mund të ndihmojnë hetimin. Megjithatë, burimet bëjnë të ditur se të gjitha provat e mbledhura në vendin e ngjarjes do t’i nënshtrohen analizave, me qëllim zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien e autorëve para drejtësisë.