Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka vlerësuar se partia e tij nuk duhet ta përjashtojë mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje politike me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), nëse një bashkëpunim i tillë do të ishte në interes të vendit dhe do të kontribuonte në tejkalimin e krizës politike.
Sipas Halitit, partitë politike duhet të tregojnë gatishmëri për dialog dhe kompromis, duke mos i mbyllur dyert ndaj asnjë opsioni që mund të sjellë stabilitet institucional dhe funksionalizim të institucioneve.
Megjithatë, një qëndrim ndryshe ka shprehur kryetari i PDK-së, Bedri Hamza. Pas takimit që zhvilloi me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Hamza deklaroi se PDK-ja do të mbetet në opozitë, duke lënë të kuptohet qartë se aktualisht partia nuk synon të hyjë në një koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.
Deklarata e Hamzës u interpretua si një konfirmim i vijës politike të PDK-së pas zgjedhjeve, ndërsa komentet e Halitit kanë hapur diskutime mbi mundësinë e një qasjeje më pragmatike në rast se rrethanat politike do ta kërkonin një marrëveshje mes dy subjekteve më të mëdha politike në vend. Këto qëndrime të ndryshme brenda PDK-së vijnë në një kohë kur skena politike në Kosovë vazhdon të përballet me sfida për formimin dhe funksionalizimin e institucioneve.
Krasniqi: Deklarata e z. Haliti tregon se brenda PDK-së nuk ekziston domosdoshmërisht një qëndrim plotësisht homogjen ndaj bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje
Profesori Kolë Krasniqi për “Bota sot” ka thënë se deklarata e Xhavit Halitit hap një debat strategjik brenda PDK-së për mundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas tij, Haliti nuk ka kërkuar vetëm një marrëveshje të përkohshme, por diskutim për një program të përbashkët qeverisës. Krasniqi vlerëson se kjo tregon se brenda PDK-së nuk ka një qëndrim krejtësisht të unifikuar për bashkëpunimin me LVV-në.
ImageProfesori Kolë KrasniqiFoto galeri
“Deklarata e Xhavit Halitit mund të vlerësohet si një përpjekje për të hapur një debat strategjik brenda PDK-së, por jo si ndryshim i qëndrimit zyrtar të partisë. Haliti nuk ka propozuar vetëm një marrëveshje të përkohshme për zgjedhjen e presidentit, por ka kërkuar që mundësia e bashkëqeverisjes me LVV-në të diskutohet në organet e PDK-së dhe në rast pajtimi, të ndërtohet një program i përbashkët qeverisës për një mandat katërvjeçar.
Deklarata e z. Haliti tregon se brenda PDK-së nuk ekziston domosdoshmërisht një qëndrim plotësisht homogjen ndaj bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje. Haliti e trajton LVV-në si kundërshtare politike, por jo si një subjekt me të cilin marrëveshja duhet të përjashtohet paraprakisht.
Gjithashtu, deklarata e z. Haliti përbën edhe një sinjal ndaj LVV-së, nëse ajo kërkon mbështetjen e PDK-së, atëherë nuk mund të kërkojë vetëm votat e saj për zgjedhjen e presidentit, por duhet të ofrojë një marrëveshje politike gjithëpërfshirëse, të mbështetur në një program të përbashkët, në përgjegjësi të përcaktuara dhe në një ndarje të qartë të pushtetit.
Mirëpo, një deklaratë e tillë, përderisa nuk është e koordinuar me udhëheqjen e partisë, mund të krijojë përshtypjen e paqartësisë strategjike ose të dobësimit të autoritetit të kryetarit të PDK-së.
Bedri Hamza, pas takimit me Albin Kurtin më 10 korrik, ka deklaruar se PDK-ja do të mbetet në opozitë gjatë këtij mandati. Megjithatë, ai ka theksuar se PDK-ja nuk ka vija të kuqe absolute dhe se do t’i mbështesë në Kuvend marrëveshjet ndërkombëtare dhe çështjet që janë në interes të Kosovës”, deklaroi ai për gazetën.
Tutje, ka thënë se mes qëndrimit të Bedri Hamzës dhe deklaratës së Xhavit Halitit ekziston një dallim, pasi i pari paraqet qëndrimin aktual të PDK-së, ndërsa i dyti një alternativë për diskutim.
Sipas Krasniqit, PDK mund ta rishikojë pozicionin e saj vetëm nëse paraqiten rrethana të reja ose një ofertë konkrete nga LVV-ja. Ai ka theksuar se çdo marrëveshje duhet të bazohet në interesin e vendit dhe të përfshijë çështje si institucionet, sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik.
“Prandaj, ndërmjet këtyre dy qëndrimeve ekziston një dallim i rëndësishëm. Në njërën anë, Hamza ka paraqitur pozicionin aktual dhe zyrtar të PDK-së, pas bisedimeve konkrete me Kurtin. Ndërkaq Haliti ka paraqitur një alternativë politike, e cila, sipas tij, duhet të shqyrtohet dhe të votohet në organet e partisë.
Këto qëndrime nuk janë krejtësisht të papajtueshme, sepse edhe Hamza me parë kishte deklaruar se PDK-ja ishte e hapur për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Mirëpo, pas takimit me Kurtin, ai ka konstatuar se nuk janë krijuar kushtet për një marrëveshje të tillë me LVV.
PDK-ja ka te drejte dhe mundesi qe ta rishqyrtojë pozicionin e saj, por ky rishqyrtim nuk duhet nënkuptuar automatikisht hyrjen në koalicion. Ndryshimi i qëndrimit do të ishte politikisht i arsyeshëm vetëm nëse paraqiten rrethana të reja ose një ofertë konkrete dhe serioze nga LVV-ja.
Një marrëveshje kompromisi ne interes te vendit duhet të përfshijë konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e Qeverisë dhe të Presidentit/es si dhe zotimet konkrete për sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe koordinimin e aktiviteteve strategjike me aleatët perëndimorë”.
Halili: Deklarata e Bedri Hamzës se PDK do të mbetet në opozitë tregon se qëndrimi aktual i partisë është i qartë
Edhe profesori Nijazi Halili për “Bota sot” ka komentuar deklaratën e Xhavit Halitit për mundësinë e një marrëveshjeje politike mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Halili ka thënë se një bashkëpunim i tillë duhet të shqyrtohet mbi bazën e interesit të vendit dhe jo ndarjeve të së kaluarës. Sipas tij, një marrëveshje eventuale do të kishte kuptim vetëm nëse do të ndërtohej mbi një program të qartë, përgjegjësi konkrete dhe synime të përbashkëta.
ImageNijazi HaliliFoto galeri
“Deklarata e Xhavit Halitit se PDK nuk duhet ta përjashtojë mundësinë e një marrëveshjeje politike me Lëvizjen Vetëvendosje hap një debat të rëndësishëm për të ardhmen e skenës politike në Kosovë.
PDK duhet ta analizojë çdo mundësi në bazë të interesit të vendit dhe jo vetëm mbi ndarjet e së kaluarës. Një bashkëpunim eventual do të kishte kuptim vetëm nëse do të bazohej në një program të qartë, përgjegjësi konkrete dhe synime të përbashkëta për stabilitetin institucional”, tha ai.
“Megjithatë, deklarata e Bedri Hamzës se PDK do të mbetet në opozitë tregon se qëndrimi aktual i partisë është i qartë. Prandaj, çdo rishqyrtim i këtij pozicioni do të kërkonte një vlerësim të brendshëm politik dhe një marrëveshje që do të ishte në interes të qytetarëve.
Në politikë duhet të ekzistojë hapësirë për dialog, por çdo marrëveshje duhet të ndërtohet mbi parime dhe jo vetëm mbi kalkulime të momentit” – u shpreh ai për “Bota sot”.