Një video që dyshohet se e shfaq duke shtënë me armë zjarri në oborrin e shtëpisë i ka kushtuar shtrenjtë një 30-vjeçari nga Podujeva, pasi Policia arriti ta identifikojë dhe t’i sekuestrojë armën, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Arton Dervisholli, 30 vjeçar.
Sipas burimeve të Sinjalit, zyrtarët policorë të angazhuar në parandalimin e veprave penale kanë siguruar, përmes rrugëve operativo-hetimore, një video-incizim ku i dyshuari shihet duke shtënë një herë me armë zjarri në ajër, brenda oborrit të shtëpisë së tij në rrugën “Llapi” në Podujevë.
Pas analizimit të pamjeve, Policia ka identifikuar të dyshuarin dhe ka lokalizuar adresën e tij. Në koordinim me Prokurorin kujdestar janë ndërmarrë veprimet hetimore, ndërsa zyrtarët policorë kanë shkuar në shtëpinë e 30-vjeçarit.
Sipas burimeve të Sinjalit, Arton Dervisholli e ka dorëzuar vullnetarisht armën e zjarrit, ndërsa gjatë kontrollit të shtëpisë nuk është gjetur ndonjë armë apo send tjetër i kundërligjshëm.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar procedurë penale për veprat “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Pas përfundimit të procedurave policore, 30-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.