Vdekja e kosovarëve, gazetari Adi Qaili zbulon detaje të reja

Kanë dalë detaje të reja lidhur me aksidentin tragjik në Maqedoninë e Veriut, ku humbën jetën tre shtetas të Kosovës, ngjarje që ka tronditur opinionin publik në të dyja vendet.

 

Për rastin u fol edhe në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, ku gazetari Adi Qaili zbuloi mënyrën se si autoritetet maqedonase arritën të lokalizonin automjetin me të cilin po udhëtonin viktimat.

Sipas tij, operacioni i kërkimit nisi menjëherë pasi familjarët raportuan zhdukjen e tre kosovarëve. Policia fillimisht analizoi pamjet e kamerave të sistemit “Safe City”, për të ndjekur itinerarin e automjetit që ishte nisur nga Aeroporti i Shkupit në drejtim të pikëkalimit kufitar Bllacë.

Hetuesit konstatuan se automjeti nuk kishte kaluar kufirin, çka ngriti dyshimet se diçka e rëndë kishte ndodhur përgjatë rrugës.

Pas këtij konstatimi, autoritetet organizuan një operacion të gjerë kërkim-shpëtimi, duke angazhuar ekipe në terren, por edhe dronë, të cilët ndihmuan në kontrollimin e zonave të vështira për t’u vëzhguar nga toka.

“Policia ka marrë sinjalin një ditë më pas kur janë raportuar të zhdukur tre shtetas të Kosovës dhe ka filluar menjëherë operacionin e kërkim-shpëtimit. Fillimisht duke i shikuar kamerat e Safe Cityt për të parë itinerarin e lëvizjes së automjetit nga Aeroporti i Shkupit drejt Bllacës dhe me të konstatuar se automjeti nuk ka kaluar vendkalimin kufitar të Bllacës kanë filluar kërkim-shpëtimin nga ajri po edhe nga toka dhe kështu është lokalizuar vetura ku fatkeqësisht brenda saj kanë qenë trupat e tre shtetasve të Kosovës”, deklaroi gazetari Adi Qaili në Klan Kosova.

Automjeti u gjet i aksidentuar pranë rrugës, ndërsa brenda tij ndodheshin trupat e pajetë të Ejup Tërnavës, Fatmira Tërnavës dhe Xheneta Shabanit.

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut po vazhdojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit, ndërsa tragjedia ka lënë në pikëllim familjarët, miqtë dhe mbarë opinionin në Kosovë.