Fitore Pacolli merr vendim te fuqishem, shkarkon 20 persona

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka marrë vendim për shkëputjen e kontratave të punës për 20 zyrtarë nga komuniteti serb, të cilët sipas ministrisë nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre të punës.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e MMPH-së, Fitore Pacolli, e cila ka deklaruar se vendimi është marrë pas konstatimit të mungesave të vazhdueshme në vendin e punës dhe në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Pacolli ka theksuar se vendimi synon vendosjen e ligjshmërisë dhe standardeve të njëjta për të gjithë të punësuarit në administratën publike.

Postim i plotë:

 

Shkëputën kontratat e punës për 20 zyrtarë të MMPH-së

Sot është nxjerrë vendim për shkëputjen e kontratave të punës për 20 zyrtarë të MMPH-së nga komuniteti serb, të njohur edhe si pjesë e ish-“Mbrojtjes Civile”. Shkëputja e kontratave vjen si pasojë e mungesës së vazhdueshme të tyre në vendin e punës, si dhe në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Nga evidencat zyrtare ka rezultuar se këta zyrtarë, të punësuar që nga 5 janari 2016 në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nuk kanë përmbushur detyrimet që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, përfshirë mungesën e vazhdueshme në vendin e punës dhe mosrespektimin e detyrave të punës.

Do të vendosim ligjshmëri të plotë dhe standarde të njëjta për secilin në administratën publike. Askush nuk mund të mbajë statusin e të punësuarit pa përmbushur detyrimet që i takojnë. Do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjit, pa dallim përkatësie apo pozite, sepse shërbimi publik duhet t’u shërbejë qytetarëve me përgjegjësi dhe respektim të plotë të detyrës zyrtare.