Lëvizja që askush nuk e priste, “Ferma VIP” ndryshon strategji dhe sfidon BBVIP-in

Sezoni i ri televiziv pritet të sjellë një garë të paprecedentë mes tre prej formateve më të ndjekura reality në hapësirën shqiptare.

 

Prej javësh po flitet për rikthimin e “Big Brother VIP Kosova” me sezonin e pestë, ndërsa në rrjet kanë nisur të qarkullojnë edhe emra të ndryshëm që aludohen si pjesë e kastit. Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga produksioni.

Sipas burimeve të Prive by Liberta Spahiu, ndryshimi më i madh pritet të vijë nga “Ferma VIP”. Ndryshe nga sezonet e kaluara, kur formati niste në muajin mars, këtë herë produksioni synon ta sjellë në ekran që në muajin tetor.

 

Nëse ky plan realizohet, “Ferma VIP” do të transmetohet paralelisht me “Big Brother VIP Kosova”, ndërsa më vonë do të mbivendoset për një periudhë edhe me “Big Brother VIP Albania 6”, i cili pritet të nisë në dhjetor.

 

Pak ditë më parë, producenti Eraldo Rexho dhe producentja ekzekutive Holta Dulaku u kërkuan ndjekësve në rrjetet sociale të propozonin emra për sezonin e ri të “Ferma VIP”, duke shtuar spekulimet se përgatitjet për edicionin e ardhshëm kanë nisur.

Ndërkohë, mbetet ende e paqartë se kush do ta drejtojë spektaklin. Në javët e fundit është përfolur edhe e ardhmja e Arbana Osmanit në këtë format, por deri tani produksioni nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar për moderatorin ose moderatoren e sezonit të ri.