Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ilir Ferati, ka deklaruar se deri më tani në zyrat e partisë nuk është deponuar asnjë kërkesë për mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, pavarësisht raportimeve se të martën do të dorëzohen nënshkrimet për një gjë të tillë, raporton KosovaPress.
Ferati para mediave të martën tha se nuk ka asnjë informacion zyrtar që dëshmon se një iniciativë e tillë do të formalizohet.
Megjithatë, ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk i shmanget procedurave të parashikuara me statut për thirrjen e kuvendit dhe votëbesimin ndaj tij.
“E dyta, qysh e kemi deklaruar edhe ditën e djeshme edhe gjatë ditës së sotme, nëpër portale të ndryshme, tek të cilat nuk pashë asnjë burim të cituar të informacionit, qoftë nga një eksponent serioz i LDK-së, qoftë nga një grup serioz i LDK-së, deri më tani nuk ka asnjë nënshkrim të deponuar. Përndryshe, në momentin që do të ketë kërkesa brenda për brenda organeve të LDK-së, sigurisht që LDK-ja, meqë është subjekt i madh, kanë me u trajtu prej neve si parti edhe kanë me u shqyrtu deri në realizimin përfundimtar të kërkesave që e plotësojnë shumicën e numrit të caktuar të delegatëve. Për momentin, deri më tani kur po flasim, nuk ka asnjë nënshkrim të deponuar brenda zyrave të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Përndryshe, jemi të qartë, qysh thashë edhe në fillim, që me i trajtua edhe normalisht me dalë deri në Kuvend. Kryetari e ka thënë, nuk është hera e parë, sigurisht që s’do të jetë as e fundit, i ka tre kuvende që i ka kaluar me votë të fshehtë edhe absolutisht aspak nuk është që ikë prej procedurave statutore të LDK-së”, tha ai.
Duke komentuar praninë e Vjosa Osmanit në selinë e LDK-së, Ferati tha se ajo nuk është e pazakontë dhe se fokusi i partisë mbetet krijimi i institucioneve të reja të Kosovës.
“E para, nuk është sot që zonja Osmani është prezente në zyrat e LDK-së, është në baza ditore, varësisht prej situatave që zhvillohen brenda për brenda LDK-së. E dyta, ka qenë e qartë se LDK-ja, me vendim të Kuvendit të Përgjithshëm, ka vendosur për bartësin e listës. E treta, LDK-ja agjendën e saj e ka të fokusuar në themelimin e institucioneve të Kosovës edhe po mendoj që kjo është tema kryesore për krejt palët brenda për brenda Lidhjes Demokratike. Edhe po mendoj që është përgjigjja kryesore që po e presin qytetarët e Republikës së Kosovës prej LDK-së, e jo se a po rrëzohet apo jo një kryetar”, deklaroi ai.
Ferati foli edhe për takimin ndërmjet Abdixhikut dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke mohuar se në atë takim është diskutuar për ndarje të posteve apo oferta konkrete politike.
Sipas tij, diskutimet janë zhvilluar vetëm rreth parimeve mbi të cilat mund të ndërtohet një marrëveshje politike që do të siguronte funksionalizimin e institucioneve.
Takimi Kurti-Abdixhiku, Ferati thotë se diskutimet janë zhvilluar për parime dhe jo ndarje postesh
Video:
“Nuk më kujtohet as zotit Abdixhiku, as zotit Kurti, të paktën nuk është deklaruar as në raport që ka pasur diskutim për ofertë klasike politike. Diskutimet brenda për brenda atij takimi, me sa unë kam informacione prej kryetarit edhe deklarimeve të tij publike, kanë qenë në kuptim të parimeve mbi të cilat duhet të ndërtohet një marrëveshje që ka me i stabilizua institucionet e Republikës së Kosovës. Jo në kuptim të pozitave politike edhe jo në kuptim të emrave të përveçëm se kush cilën pozitë politike ka me e marrë. Kryetari Abdixhiku ka mandat të plotë të përfaqësimit të LDK-së edhe e merr kudo që e sheh të arsyeshme që mundet me ia plotësua tavolinën e negociatave. Në këtë rast e ka bërë në shoqërim të bartëses së listës, që është absolutisht legjitime, se ka qenë prijëse e kësaj liste e votuar prej Këshillit të Përgjithshëm, pra vendimi është mes tij e Kuvendit”, potencoi Ferati.
Sa i përket raportimeve për mbledhjen e nënshkrimeve për Kuvend të Jashtëzakonshëm, Ferati tha se kjo përbën një të drejtë demokratike të anëtarëve të partisë, por nuk beson se iniciativa ka për qëllim pengimin e ndonjë marrëveshjeje eventuale me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai u bëri thirrje zyrtarëve dhe strukturave të LDK-së që debatet e brendshme t’i zhvillojnë në forumet e partisë dhe jo përmes deklaratave publike, duke theksuar se dallimet duhet të adresohen në përputhje me statutin e LDK-së.
“Mbledhja e nënshkrimeve është ushtrim i një të drejte demokratike të njerëzve që kanë mendim ndryshe prej shumicës. Nuk besoj që ka brenda për brenda LDK-së as kryetar dege, as deputet të zgjedhur, as eksponent serioz, që dëshiron me i pengu themelimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, qofshin ata që po i mbledhin nënshkrimet, qofshin ata që po i refuzojnë ato. Përndryshe, mua më mbetet si zyrtar i LDK-së me iu bërë thirrje për qetësi edhe delegatëve edhe kryetarëve të degëve. Kolegët e mi që po deklarojnë në publik situatën, me i ruajt mendimet e tyre politike për brenda organeve të LDK-së. Kjo shtëpi e jona demokratike është e përbashkët e të gjithëve, nuk është e individëve. Brenda këtyre forumeve ne jemi të obliguar edhe me statut edhe me moral politik që me i diskutu çështjet të cilat na preokupojnë, e jo me e shqetësu anëtarësinë e gjerë”, deklaroi ai.
KosovaPress javën e kaluar ka raportuar ekskluzivisht se kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, po e udhëheq këtë proces, duke vizituar degët e LDK-së në nivel vendi për të kërkuar nënshkrimet e delegatëve për votëbesimin ndaj Abdixhikut.
Kërkesa për shkarkimin e Abdixhikut po vjen pas pakënaqësive brenda kësaj partie për rezultatin e LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit.
Fillimisht u kërkua dorëheqja e Abdixhikut, por i njëjti e kishte konsideruar si të papranueshme dorëheqjen.
LDK-ja në këto zgjedhje ka pasur vetëm 16.69 për qind, apo 18 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Sipas Statutit të LDK-së, nënshkrimet e një të tretës së anëtarëve të Kuvendit nuk e shkarkojnë automatikisht kryetarin, por vetëm hapin rrugën për ngritjen formale të çështjes së votëbesimit.
Në përbërjen statutare të Kuvendit të LDK-së janë 355 delegatë të zgjedhur nga kuvendet e degëve, duke përfshirë edhe kryetarin aktual, Lumir Abdixhiku.
Në janar të këtij viti, Abdixhiku i ka mbijetuar votëbesimit të Kuvendit të LDK-së, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar.