Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar të gjithë personat fizikë që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e banesave, shtëpive apo pronave të tjera, përfshirë edhe përmes platformave elektronike si Airbnb dhe platforma të ngjashme, se këto të ardhura duhet të deklarohen dhe i nënshtrohen tatimit në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.
Sipas ATK-së, në kuadër të aktiviteteve për luftimin e ekonomisë joformale, janë analizuar të dhënat dhe informacionet në dispozicion, ku është konstatuar se një numër i konsiderueshëm personash kanë realizuar të ardhura nga dhënia me qira e pronave, por nuk janë regjistruar në ATK, nuk i kanë deklaruar këto të ardhura dhe nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre tatimore.
Për këtë arsye, ATK u bën thirrje të gjithë qytetarëve që ende nuk i kanë deklaruar të ardhurat nga qiraja që ta bëjnë këtë sa më parë në mënyrë vullnetare.
Personat që realizojnë të ardhura nga qiraja duhet:
- të pajisen me Numër Fiskal pranë ATK-së, nëse nuk janë të regjistruar;
- të deklarojnë të ardhurat e realizuara; dhe
- të paguajnë detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi.
Administrata Tatimore thekson se disponon informacione, të dhëna dhe prova që mundësojnë identifikimin e personave që përfitojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave. Në rast se këto detyrime nuk përmbushen vullnetarisht, institucioni paralajmëron se do të ndërmarrë veprimet e parapara me ligj.
Këto masa përfshijnë regjistrimin sipas detyrës zyrtare kur plotësohen kushtet ligjore, vlerësimin e detyrimeve tatimore bazuar në të dhënat që disponon ATK, ngarkimin me interesa dhe gjoba, si dhe masa të tjera administrative dhe ligjore të parashikuara nga legjislacioni tatimor.
Në fund, ATK rithekson përkushtimin e saj për promovimin e përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore dhe trajtimin e barabartë të të gjithë tatimpaguesve.
Për informata shtesë lidhur me regjistrimin, deklarimin dhe pagesën e tatimeve, qytetarët mund të kontaktojnë Administratën Tatimore të Kosovës përmes kanaleve zyrtare të komunikimit ose të vizitojnë zyrat më të afërta të ATK-së.