Kosova në udhëkryq: A po lind marrëveshja Kurti-Abdixhiku për ta shmangur krizën e re?

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Kosova vazhdon të përballet me një ngërç politik dhe institucional, duke e bërë formimin e institucioneve të reja një nga sfidat kryesore të vendit.

 

Në këtë kontekst, takimi mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka rikthyer në vëmendje mundësinë e një bashkëpunimi mes dy subjekteve më të mëdha politike. Edhe pse bisedimet nuk prodhuan një marrëveshje konkrete, gatishmëria e shprehur nga të dyja palët për të vazhduar dialogun ka nxitur diskutime mbi gjasat e arritjes së një kompromisi politik.

 

Duke folur për media pas takimit, Kurti tha se është optimist dhe shpreson se do të ketë marrëveshje, pavarësisht se takimi i parë nuk solli ndonjë përparim konkret.

“Ende nuk kemi ndonjë konkluzion apo të arritur të cilën do të mund ta ndanim këtu me ju. Unë jam optimist”, tha Kurti për media.

Pjesë e takimit ishte edhe ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila në zgjedhje garoi në një listë të përbashkët me LDK-në, me synim për t’u rizgjedhur presidente.

Kurti theksoi se bisedoi me Abdixhikun dhe Osmanin për formimin e të gjitha institucioneve, por nguli këmbë se ka kohë edhe katër javë për konstituimin e Kuvendit, duke iu referuar afatit kushtetues, i cili hyri në fuqi në fillim të kësaj jave pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Abdixhiku, ndërkohë, tha pas takimit se “në këtë fazë u dakorduam të vazhdojmë tutje me komunikim si formë e vetme e mundësisë së shmangies së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vendin tonë”.

Ai shtoi se LDK-ja kërkon “stabilitet institucional dhe patjetër ekuilibër demokratik, në të cilin të gjitha palët kontribuojnë me vetëdije të plotë për t’i ofruar vendit institucione të qëndrueshme”.

Mbetet për t’u parë nëse një marrëveshje e mundshme mes LVV-së dhe LDK-së do të përfaqësonte një zgjidhje të qëndrueshme për tejkalimin e krizës institucionale apo vetëm një kompromis afatshkurtër për të shmangur zgjedhjet e reja dhe për të siguruar funksionimin e institucioneve.

Halili: Çdo bashkëpunim mes LVV-së dhe LDK-së do të matet jo vetëm nga arritja e marrëveshjes, por nga aftësia e tyre për ta zbatuar atë

Në lidhje me takimin Kurti-Abdixhiku, për “Bota sot” foli profesori Nijazi Halili, i cili tha se të dy partitë kanë dhënë sinjal se ekziston vullnet politik për të gjetur zgjidhje dhe për të shmangur edhe një palë zgjedhje të reja.

“Takimi mes LVV-së dhe LDK-së tregon se ekziston një vullnet politik për të kërkuar një zgjidhje për ngërçin institucional dhe për të shmangur një cikël të ri zgjedhor. Megjithatë, afrimi mes këtyre dy subjekteve nuk duhet parë vetëm si një marrëveshje teknike për ndarjen e përgjegjësive, por si një përpjekje për të krijuar një stabilitet të qëndrueshëm institucional”.

Sipas Halilit, një koalicion i mundshëm mes LVV-së dhe LDK-së do të përballej edhe me sfida për shkak të dallimeve politike dhe programore.

Mirëpo, nëse arrihet një marrëveshje me bazë të qëndrueshme, atëherë ajo do të mund të sillte një stabilitet politik dhe funksionalizim të institucioneve.

“Një bashkëpunim i mundshëm mes LVV-së dhe LDK-së do të përballej me sfida të rëndësishme, veçanërisht për shkak të dallimeve programore, qëndrimeve të mëhershme politike dhe nevojës për të gjetur një kompromis në çështjet kryesore të qeverisjes. Pyetja kryesore nuk është vetëm nëse mund të arrihet një marrëveshje, por nëse ajo do të ketë bazë të mjaftueshme politike për të funksionuar në afat më të gjatë.

Nëse një marrëveshje e tillë do të arrihej, ajo do të mund të sillte një periudhë stabiliteti dhe funksionim më normal të institucioneve. Por, nëse do të ishte vetëm një kompromis për shmangien e zgjedhjeve të reja, pa një pajtim të qartë për prioritetet dhe reformat, ekziston rreziku që kriza të shtyhet dhe jo të zgjidhet”.

Ndër të tjera, profesori shtoi se marrëveshja LDK-LVV mund të matet nga aftësia për ta rikthyer besimin e qytetarëve në institucione.

“Prandaj, çdo bashkëpunim mes LVV-së dhe LDK-së do të matet jo vetëm nga arritja e marrëveshjes, por nga aftësia e tyre për ta zbatuar atë dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve në institucione”, përfundoi Nijazi Halili për “Bota sot”.

Haziri: Vazhdimi i bisedimeve ndërmjet LVV-së dhe LDK-së nuk pritet të jetë rezultativ

Ndërsa, analisti politik Nexhat Haziri tha se takimi i parë LVV-LDK nuk prodhoi rezultat, derisa nuk përjashtoi se mund të ketë zhvillime të reja në vijim.

Ai, në bashkëbisedimin me “Bota sot”, potencoi rëndësinë që ka një marrëveshje mes këtyre dy partive, derisa përmendi edhe faktin se PDK-ja dhe AAK-ja nuk treguan gatishmëri për bashkëpunim.

“Nëse i referohemi takimit të parë ndërmjet liderëve të LVV-së dhe atyre të LDK-së, takim ky që nuk rezultoi me ndonjë hap konkret, mbetet të shihet se çfarë do të prodhojnë takimet e radhës ndërmjet këtyre dy subjekteve politike. Kjo është edhe më e rëndësishme tani, kur ndodhemi në një situatë të re sa i përket këtij procesi, pasi PDK-ja e bëri të qartë pozicionin e saj se ka vendosur të mbetet në opozitë, duke mos shprehur interesim as për procesin e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së vendit. Pa votat e këtij subjekti politik, vështirë se mund të realizohet zgjedhja e presidentit apo presidentes.

Po ashtu, edhe refuzimi i AAK-së për t’iu përgjigjur pozitivisht ftesës së z. Kurti për t’u takuar e vështirëson më tej procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit”.

Megjithatë, Haziri e sheh si të vështirë të ketë një marrëveshje të suksesshme LDK-LVV, pasi thekson se vetëm votat e këtyre dy partive sërish nuk mjaftojnë për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Këtu, përmendi edhe problemet e brendshme në LDK dhe rrezikun për zgjedhje të reja.

“Andaj, vazhdimi i bisedimeve ndërmjet LVV-së dhe LDK-së për arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve, e në veçanti për zgjedhjen e presidentit apo presidentes, nuk pritet të jetë rezultativ. Kjo edhe për shkak të situatës së brendshme në vetë LDK-në, e cila nuk po kalon ditët e saj më të mira, për shkak të përçarjeve të thella dhe kërkesave për dorëheqjen e z. Abdixhiku.

Në anën tjetër, z. Kurti dhe LVV-ja i kanë votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por edhe për formimin e qeverisë. Megjithatë, kjo nuk e nxjerr vendin nga kriza dhe as nuk e kompleton formimin e institucioneve të reja pa zgjedhjen e presidentit. Në rast të dështimit të zgjedhjes së tij ose të saj, vendi do të detyrohej sërish të shkonte në zgjedhje”, shtjelloi ai.

Në fund, Haziri shtoi se presidenti duhet t’i takojë opozitës, në mënyrë që edhe AAK-ja e PDK-ja të kenë gjasa të votojnë dhe ta mbështesin atë.

“Prandaj, çfarëdo bisedimesh dhe çfarëdo marrëveshjesh ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, sidomos për zgjedhjen e presidentit të vendit, nuk përbëjnë zgjidhje, sepse u mungojnë votat e nevojshme.

Për këtë arsye, z. Kurti duhet të tregojë më shumë pragmatizëm, duke ofruar një kompromis që posti i presidentit t’i takojë opozitës. Një kompromis i tillë do të mund ta përfshinte në këtë proces edhe PDK-në dhe Aleancën. Kjo do të ishte formula e vetme që do të garantonte formimin e institucioneve të reja dhe stabilitetin politik, mbi bazën e një baraspeshe të pushteteve në vend”,përmbylli Nexhat Haziri për “Bota sot”.