Egli Tako flet hapur për dashurinë: I dhashë besën dhe nuk kthehesha pas, zbulon edhe çfarë i mungon sot

Egli Tako ka ardhur me një nga rrëfimet e saj më personale në “Grida Duma Podcast”, ku ka folur për dashurinë, miqësinë, marrëdhëniet, jetën pas “Big Brother VIP” dhe mënyrën se si e sheh sot botën.

 

Gjatë intervistës, Egli u shpreh se askush nuk mund ta kuptojë vërtet se çfarë ndodh brenda shtëpisë së “Big Brother VIP” nëse nuk e ka përjetuar vetë atë eksperiencë.

“Kur hyn aty nuk e di nëse jeta vazhdon jashtë”, tha ajo, ndërsa pranoi se i kishte dhënë besën partnerit të saj dhe nuk do të kthehej më pas, edhe pse ishte plotësisht e vetëdijshme se po gjykohej nga publiku.

 

Duke folur për mënyrën se si e percepton dashurinë sot, Egli u shpreh se marrëdhëniet kanë ndryshuar shumë.

“Sot njerëzit nuk po dashurojnë më njeriun, nuk ta japin kohën. Në marrëdhënie vajzës i lejohet të jetë më e përkëdhelur. Në një lidhje vajza duhet të jetë princesha, jo mashkulli. Këtë duhet ta pëlqej edhe partneri, do ta bënte më burrë”, deklaroi ajo.

Egli ndau mendimet e saj edhe për materializmin, duke theksuar se shumë djem përpiqen t’i impresionojnë vajzat me luks, në vend që të ndërtojnë një lidhje të vërtetë dhe të sinqertë.

Në podcast, ajo tregoi edhe arsyen pse vendosi të hiqte dorë nga trupi shumë muskuloz që kishte ndërtuar prej vitesh në palestër.

“Më pëlqen trupi që kam tani, më i hollë dhe femëror”, u shpreh Egli.

E pyetur për jetën sentimentale, ajo pranoi se i mungon të ketë një partner, sidomos gjatë fundjavave, por theksoi se nuk do të pranonte kurrë një lidhje që nuk e bën të lumtur.