Hyrja e poetes Mimoza Ahmeti në “Ferma VIP” ka vijuar të ngjallë diskutime, ndërsa së fundmi ka reaguar edhe artisti Robert Aliaj, i cili ka shprehur hapur qëndrimin e tij kritik.
Në një deklaratë publike, Aliaj u shpreh se, sipas tij, të qenit poet nuk do të thotë domosdoshmërisht të jesh edhe intelektual. Ai theksoi se një intelektual duhet të ruajë parimet e tij dhe të mos bëjë kompromise me atë që e cilëson si vulgaritet.
“Të jesh poet nuk është kusht se je intelektual. Intelektualët nuk bëjnë kompromise me vulgaritetin. Intelektuali është një zgjedhje në jetë, është ADN-ja jote”, u shpreh ai.
Më tej, Robert Aliaj shtoi se një figurë që ka ndërtuar prej vitesh një profil publik dhe intelektual nuk duhet, sipas tij, të komprometojë atë imazh për arsye financiare.
“Nuk bën dot siç duan të tjerët. Aty dallohet një intelektual. Nuk duhet të jetë pjesë e llumit. Për mua nuk shkon që një njeri, i cili ka ndërtuar diçka në publik, të shitet për lekë”, deklaroi artisti.
Deklaratat e Aliajt kanë nxitur reagime të ndryshme në rrjetet sociale, ku një pjesë e ndjekësve mbështesin qëndrimin e tij, ndërsa të tjerë e konsiderojnë pjesëmarrjen e Mimoza Ahmetit në format si një zgjedhje personale. Deri tani, poetja nuk ka reaguar ndaj komenteve të artistit.