Komuna e Prishtinës ka njoftuar se, duke filluar nga 10 korriku e deri më 18 korrik, do të mbyllet përkohësisht për qarkullim një nga segmentet më të frekuentuara të kryeqytetit.
Bëhet fjalë për rrugën “Fehmi Lladrovci”, në segmentin që lidh Rrethin e Flamurit me Rrethin e Spitalit, ku do të zhvillohen punime infrastrukturore.
Sipas njoftimit zyrtar të Komunës, mbyllja e rrugës është e nevojshme për realizimin e punimeve, ndërsa gjatë kësaj periudhe trafiku do të ridrejtohet nëpër rrugë alternative.
“Gjatë kësaj periudhe, trafiku do të menaxhohet dhe ridrejtohet sipas sinjalizimit të përkohshëm në terren, ndërsa qarkullimi i këmbësorëve do të mbetet i mundësuar,” thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se sinjalizimi i përkohshëm do të vendoset në terren për të orientuar drejtuesit e automjeteve dhe për të shmangur bllokimet në komunikacion.
Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të tregojnë mirëkuptim gjatë kohës sa do të zgjasin punimet, si dhe të planifikojnë paraprakisht lëvizjet e tyre duke shfrytëzuar itinerare alternative.
Punimet pritet të përfundojnë më 18 korrik, kur edhe ky segment rrugor pritet t’i rikthehet qarkullimit normal.