Latif Gashi publikon pamjet nga Kompleksi “Zahir Pajaziti”: Dëmtimi akt i turpshëm, përgjegjësia bie mbi institucionet

Ish-deputeti i PDK-së, Latif Gashi, ka reaguar pas dëmtimit të Kompleksit Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan, duke e cilësuar këtë ngjarje si një akt të turpshëm, të papranueshëm dhe çnjerëzor.

 

Gashi ka publikuar edhe fotografi nga brendësia e objektit të dëmtuar, duke thënë se sulmet ndaj memorialeve nuk përbëjnë vetëm dëmtim të objekteve fizike, por edhe cenim të kujtesës historike, sakrificës së dëshmorëve dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar liria e Kosovës.

 

Sipas tij, mungesa e sigurisë, mirëmbajtjes dhe kujdesit institucional në komplekset memoriale ka krijuar kushte që këto vende të mbeten të pambrojtura dhe të degradohen.

Gashi ka theksuar se institucionet shtetërore kanë detyrim ligjor, moral dhe kombëtar për ruajtjen e këtyre monumenteve, duke shtuar se respekti për dëshmorët duhet të dëshmohet përmes mbrojtjes dhe mirëmbajtjes së vazhdueshme të vendeve që përjetësojnë veprën e tyre.

Në reagimin e tij, ai ka thënë se lënia në harresë e komplekseve memoriale nga institucionet shtetërore nuk është vetëm neglizhencë, por një alarm serioz për mënyrën se si po trajtohet kujtesa historike.

“Lënia në harresë e komplekseve memoriale nga institucionet shtetërore nuk është thjesht neglizhencë, por një alarm serioz për mënyrën se si po trajtohet kujtesa jonë historike”, ka shkruar Gashi.

Ai ka përmendur edhe mungesën e punëtorëve të sigurisë dhe mirëmbajtjes, mungesën e ciceronëve dhe kujdesit institucional në Kompleksin Memorial “Varrezat e Dëshmorëve” dhe Muzeun e Dëshmorëve në Penuhë, në Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan, si dhe në Kompleksin Memorial “Baza e Parë e UÇK-së” në Lladovc.

Sipas tij, kjo situatë ka krijuar kushte që këto vende të mbeten të pambrojtura dhe të degradohen dita-ditës.

“Dëmtimi i Kompleksit Memorial ‘Zahir Pajaziti’ në Orllan është një akt i turpshëm, i papranueshëm dhe çnjerëzor. Sulmi ndaj memorialeve nuk është vetëm sulm mbi gurët dhe objektet, por mbi kujtesën historike, mbi sakrificën e dëshmorëve dhe mbi vlerat mbi të cilat u ndërtua liria e Kosovës”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka theksuar se përgjegjësia kryesore, sipas tij, bie mbi institucionet shtetërore, të cilat kanë detyrim ligjor, moral dhe kombëtar për të siguruar ruajtjen, mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e këtyre komplekseve.

“Këto nuk janë projekte të zakonshme; janë projekte kombëtare, monumente të historisë sonë dhe vende që duhet të edukojnë brezat e rinj me respekt për lirinë dhe sakrificën”, ka shkruar ai.

Në fund të reagimit, Gashi ka theksuar se ruajtja e komplekseve memoriale nuk është çështje politike, por detyrim shtetëror dhe kombëtar.

“Respekti për dëshmorët nuk dëshmohet vetëm me fjalë e ceremoni përkujtimore, por me përkushtim të vazhdueshëm për mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e vendeve që përjetësojnë veprën e tyre”, ka përfunduar ai.