Mbyllen nëntë lokale me ‘muzikë live’ në Kosovë: Kapen 220 shqiptare, 9 serbe, 4 maqedonase e 1 bullgare

Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion të gjerë në kuadër të planit operativ “Ditët e Veprimit të Përbashkët JAD Global Chain 2026-Qershor 2026”, i realizuar nga 8 deri më 12 qershor në koordinim me EUROPOL, INTERPOL, FRONTEX dhe institucione të tjera vendore e ndërkombëtare.

 

Në njoftim bëhet e ditur se operacioni është udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe ka përfshirë kontrolle në lokale me muzikë live, qendra masazhi, operacione për identifikimin e fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit, si dhe planin taktik për luftimin e prostitucionit përmes eskortave.

 

Bazuar në njoftimin e policisë, gjatë inspektimit të 59 lokaleve me muzikë live në tërë Kosovën, janë hasur gjithsej 420 persona, prej tyre 317 femra dhe 109 meshkuj, prej tyre 186 shtetas të Kosovës ndërsa 234 shtetas të huaj (220 femra shtetase të Shqipërisë, 9 femra shtetase të Serbisë, 4 femra shtetase te Maqedonia e Veriut, 1 femër shtetase e Bullgarisë).

Prej këtyre lokaleve të inspektuara gjashtë lokale janë gjetur të mbyllura, ndërsa për shkelje administrative nga Inspektorët e MINT janë mbyllur nëntë lokale te muzikës live.