Kualifikimi historik i Zvicrës, Xhaka tregon ‘sekretin’ e penalltive

Kombëtarja e Zvicrës shënoi historinë mbrëmë duke arritur për herë të parë fazën e 1/8 më të mirëve në Kupën e Botës.

Zvicra shënoi fitore ndaj Kolumbisë, pas penalltive, duke siguruar kualifikimin tutje në çerekfinale, ku e pret Argjentina.

 

Kapiten i helvetikëve, Granit Xhaka ka treguar ‘sekretin’ e penalltive pas ndeshjes.

Ai bëri të ditur se ishte vendosur të godiste i treti me radhë te Zvicra, por Xhaka mori përsipër goditjen e parë të penalltisë.

 

“Në fakt, unë duhej të isha gjuajtësi i tretë i penalltive. Pastaj i thashë trajnerit se doja të isha i pari dhe të merrja përgjegjësi, siç i takon një kapiteni. Por po e lë mënjanë këtë për momentin. Jam jashtëzakonisht krenar për ekipin. Ishte një shfaqje e jashtëzakonshme e forcës mendore – vullneti fitoi. Kemi bërë histori – është një ndjenjë e pabesueshme. Lehtësimi na bën jashtëzakonisht krenarë. Kemi pritur për një kohë të gjatë për të shkruar një histori si kjo. Tani udhëtimi vazhdon dhe jemi të lumtur që jemi ende këtu. Mendoj se është arritja kurorëzuese e brezit aktual. Shpresojmë që të ketë një tjetër; është një brez i veçantë. Ne lojtarët me përvojë po shtyhemi nga të rinjtë dhe duhet të jemi modele dhe të transmetojmë mentalitetin se edhe si një komb i vogël, shumë gjëra janë të mundura”, ka thënë Xhaka.

Mesfushori me prejardhje shqiptare u deklarua edhe për ndeshjen e radhës ku Zvicra do të përballet me Argjentinën.

“Ky është një shpërblim i madh. Qëllimi numër një është arritur, por kur je në çerekfinale, uria është edhe më e madhe se më parë. Tani vjen sfida e madhe me një nga lojtarët më të mëdhenj. Po e shijojmë lojën dhe do të jemi gati”, ka thënë ai.