Osmani para Blinken: Kosova sot është e lirë nga tirania, partneriteti me SHBA-në ishte dhe mbetet ekzistencial

Ka nisur në Uashington takimi ndërmjet presidentes Vjosa Osmani e kryeminsitrit Albin Kurti me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken. Në hapjen e takimit, Blinken ka thënë se është i gëzuar që pret dy liderët nga Kosova, duke çmuar rolin e Kosovës në pritjen e refugjatëve nga Aganistani dhe në koordinimin e sanksioneve ndaj Rusisë.

Në fjalën e saj, Presidentja Osmani ka thënë se partneriteti me SHBA-në ka qenë i domosdoshëm për t’u çliruar dhe pavarësuar dhe mbetet i tillë edhe tani kur Kosova është demokraci në zhvillim.

Osmani ka thënë se SHBA po i qëndron pranë Ukrainës, ashtu siç dikur i qëndroi Kosovës.

“Partneriteti me SHBA-në nuk është vetëm i domosdoshëm, ka qenë ekzistencial për lirinë dhe pavarësinë tonë dhe mbetet i tillë edhe sot, tani kur jemi shndërruar në demokraci. Kosova është demokraci në zhvillim dhe kjo tregon se çfarë mund të arrijë bota demokratike e udhëhequr nga SHBA, kur përballet me tiraninë dhe sigurohet që liria të mbizotërojë ndaj tiranisë të regjimeve të tilla”, ka thënë ajo para Blinken.

Po ashtu, ajo ka siguruar Sekretarin e Shtetit se Kosova qëndron krah përpjekjeve të SHBA-së për Ukrainën.

“Ashtu siç keni qëndruar me ne ju sot qëndroni me Amerikën. Dëshiroj t’ju siguroj që edhe populli i Kosovës qëndron me Ukrainën. Jemi të kënaqur që qëndrojmë me ju. Kosova është duke shkuar krah më krah me ushtarët amerikanë në misionet ndërkombëtare. Do të punojmë me SHBA-në që pozita ndërkombëtare e Kosovës të forcohet dhe ta fitojmë vendin e merituar në komunitetin euro-atlantik”, ka deklaruar ajo.

Gjatë minutave të parë të takimit, Kryeminsitri Kurti nuk është shprehur. Është raportuar se takimi do të jetë i gjatë rreth një orë. /GazetaExpress