Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, ka vlerësuar se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk duhet të shkojnë në pushim veror në një kohë kur vendi ende nuk ka institucione të reja dhe kur procesi i certifikimit të rezultateve zgjedhore nuk ka përfunduar.
Jakaj në një intervistë për EO thotë se situata aktuale politike kërkon angazhim të vazhdueshëm të Kuvendit, pasi pas certifikimit të rezultateve pritet të nisë procesi i konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit.
“Duke ditur se besojmë pa institucione dhe certifikimi i rezultateve ende nuk ka ndodhur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ajo që dihet edhe nga deklarimet e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, respektivisht edhe të zëvendësit të KQZ-së, është se më datat 4-6 korrik pritet të certifikohen rezultatet zgjedhore dhe kjo pastaj e përshpejton edhe e nis procesin e thirrjeve të seancës konstituive, pastaj edhe të ftesës për kandidatin për kryeministër dhe për Qeverinë e re. Pra, nis rrjedhja e afateve për t’i krijuar këto institucione. Në rastin aktual do ta kemi në rrugë edhe çështjen e zgjedhjes së Presidentit, për të cilën ne shkuam në zgjedhje me 7 qershor”, ka deklaruar Jakaj.
Ai ka thënë se, ndonëse rregullorja e Kuvendit parasheh pushimin veror të deputetëve në fund të korrikut, kjo nuk duhet të zbatohet në situatën aktuale, për shkak të nevojës për krijimin e institucioneve funksionale.
“Sipas rregullores së Kuvendit, në fund të korrikut deputetët shkojnë në pushim, pra përfundon sesioni pranveror. Pra, nis sesioni pranveror që mund të nisë nga data 10 korrik dhe mund t’i ketë rreth 20 ditë punë. Por në rastin aktual, për shkak të situatës politike, për shkak të bllokadës, për shkak të pasojave që Kosova i ka pasur, Kuvendi i Kosovës nuk do të duhej të shkonte në pushim”, ka thënë ai.
Jakaj ka theksuar se kryesia e re e Kuvendit, apo edhe ajo aktuale nëse vazhdon mandatin, duhet të ndërmarrë hapa që të shmanget pushimi parlamentar.
“Në rregullore thotë që në fund të muajit korrik Kuvendi shkon në pushim, por kryetari i ri apo kryetarja e re e Kuvendit të Kosovës, ose edhe kjo aktuale nëse është e njëjta kryetare e Kuvendit, kjo do të duhej që të propozonte që të shmanget kjo gjë nga respektimi i kësaj dispozite të rregullores së Kuvendit, në mënyrë që Kuvendi të mos shkojë në pushime. Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë pushuar në kuptimin nga puna legjislative, edhe Qeveria ka qenë në detyrë, por deputetët nuk do të duhej të pushonin në kuptimin e pushimit klasik sipas rregullores së Kuvendit të Kosovës”, është shprehur hulumtuesi i IKD-së, për Ekonomia Online.
Sipas tij, edhe nëse deputetët shkojnë në pushim, afatet kushtetuese dhe ligjore nuk ndalen, ndërsa pasojat eventuale do t’i bartin qytetarët.
“Normalisht që deputetët mund të shkojnë në vikende të caktuara, por në rastin konkret pushim klasik, siç i takon Kuvendit në bazë të punës së përditshme që e bën në sesionin pranveror edhe vjeshtor, nuk do të duhej të merrej. Pavarësisht pse kjo gjë rregullohet dhe ju takon me rregulloren e re të Kuvendit të Kosovës. Një gjë e tillë, edhe nëse deputetët shkojnë, afatet nuk mund të ndalen, ato konsumohen”, ka deklaruar Jakaj.
Ai ka thënë se deputetët duhet të tregojnë përgjegjësi, duke i dhënë përparësi krijimit të institucioneve të reja para pushimeve.
“Këta deputetë, të cilët e kanë pasur gojën plot që Kosova po humbet dhe po bën pasoja të rënda për vendin për shkak të zgjedhjeve të njëpasnjëshme, do të duhej ta kishin ndërgjegjen e tyre që të vendosnin që të mos shkojnë në pushim, por t’i kryenin tre-katër çështjet kryesore, pesë-gjashtë çështjet kryesore për të cilat vendi ka nevojë. Pra, së pari ta formojë Kuvendin, ta konstituojë, ta formojë Qeverinë, ta votojë Presidentin, disa çështje me rëndësi që vijnë nga Plani i Rritjes dhe disa marrëveshje ndërkombëtare të cilat janë jetike për Republikën e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Duke folur për mundësinë që institucionet të mos formohen para pushimit veror, Jakaj ka thënë se kjo do të krijonte pasoja për vendin dhe mund të çonte edhe në zgjedhje të reja.
“Rezultati i zgjedhjeve besojmë që certifikohet brenda datës 4 ose 6 korrik, brenda 30 ditëve thirret seanca konstituive. Në rast se seanca konstituive thirret shumë shpejt, që aty ka data 10, 12, sepse edhe Kuvendit të Kosovës i nevojiten përgatitjet për regjistrimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, atëherë afati rrjedh prej asaj dite”, ka thënë Jakaj.
Ai ka shtuar se partitë politike duhet të vendosin nëse do të veprojnë në interes të qytetarëve apo të interesave të ngushta politike.
“Nëse duan le të rrinë deputetët në Kuvend, nëse duan le të shkojnë në pushime, por pasojat kam me i bartur qytetari i vendit dhe pastaj pasojat do të jenë në rast se shkojmë edhe një herë në zgjedhje, për ato parti politike që nuk i kanë qëndruar besnik fjalëve të veta që do të jenë konstruktive për t’i zgjidhur çështjet, veçanërisht në raport me formimin e shpejtë të institucioneve”, ka deklaruar Jakaj.
Sipas Jakajt, përgjegjësia për zgjidhjen e situatës është te deputetët dhe partitë politike, të cilat duhet të vendosin nëse do të veprojnë në interes të qytetarëve apo sipas interesave të ngushta politike.
“Do të vendosin deputetët vetë a do t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve, apo do t’i përfaqësojnë interesat personale të ngushta, për të cilat edhe realisht nuk ka nevojë. Kosova ka nevojë për Kuvend që i kryejnë detyrat e veta me përgjegjësi dhe me integritet të plotë”, ka shtuar Jakaj.