Pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe përfundimit të mandatit të saj në krye të shtetit, Vjosa Osmani është rikthyer në qendër të debatit politik, këtë herë përmes deklaratave rreth rolit të saj në procesin e krijimit të institucioneve.
Ndonëse jo shumë kohë më parë kishte thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk kishte arsye ta refuzonte emrin e saj për presidente, Osmani së fundi u shpreh se nuk do të lejojë që emri i saj të bëhet pengesë për arritjen e një marrëveshjeje.
“Emri im kurrë nuk ka qenë pengesë në krijimin e institucioneve dhe as kurrë nuk do të jetë. Unë nuk do ta lejoj në asnjë mënyrë që emri im të shndërrohet në pengesë për krijimin e institucioneve“, deklaroi ajo.
Deklarata e saj ka nxitur diskutime mbi mesazhin politik që ajo po përcjell në këtë fazë të re të zhvillimeve politike, veçanërisht në dritën e rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit dhe negociatave që pritet të zhvillohen për postin e presidentit.
Kjo e ka rikthyer në fokus debatin nëse kemi të bëjmë me një ndryshim të qasjes së Osmanit ndaj një mandati të ri presidencial, apo thjesht me një përpjekje për të mos u bërë pjesë e një bllokade institucionale.
Bukuroca: Vjosa duket se e ka përjashtuar vetveten nga loja dhe karriera e saj politike duket se ka marrë fund
Fillimisht, në lidhje me këtë temë për “Bota sot” foli publicisti Lis Bukuroca, i cili u shpreh se kjo më shumë duket si tërheqje taktike, pasi vështirë të besohet që Osmani heq dorë nga ambicia për presidente.
Po ashtu, ai kritikoi ish-presidenten për sjellje jodiplomatike dhe qëndrim hakmarrës ndaj kryeministrit Kurti, sidomos pas deklaratave të bëra që nga koha kur u rikthye në LDK.
“Vështirë të besohet se Vjosa nuk ka më ambicie. Kjo duket më shumë si një tërheqje taktike. Pak kohë më parë, ajo kishte deklaruar se Kurti nuk kishte asnjë arsye ta refuzonte emrin e saj.
Me sjellje jodiplomatike dhe me një qëndrim të theksuar hakmarrës, ajo iu bashkangjit LDK-së, duke shpresuar se së paku për 10% do ta rriste LDK-në dhe njëkohësisht do ta dëmtonte Kurtin.
Me ligjërimin e saj, me insinuata dhe nënkuptime si: “Kush e di çfarë ka folur Kurti me Vuçiqin”, ajo e degradoi vetveten dhe ndihmoi shumë që publiku ta kuptojë pse, në afekt, e shpërndau Kuvendin”, deklaroi ai.
Madje, publicisti vlerëson se Osmani me veprimet e saj ka “zvogëluar veten” dhe sipas tij tani duket që karriera e saj politike është drejt fundit.
“Vjosa ishte e madhe, por vetë e zvogëloi veten. Tani ajo nuk e ka më mbështetjen e askujt, as të LDK-së në tërësi. Për fat të keq, Vjosa duket se e ka përjashtuar vetveten nga loja dhe karriera e saj politike duket se ka marrë fund”, përfundoi Lis Bukuroca për “Bota sot”.
Vuniqi: Asnjë emër nuk duhet të jetë pengesë për krijimin e institucioneve
Ndërsa, edhe opinionisti Agim Vuniqi foli për mesazhin e fundit që dërgoi Osmani në lidhje me zhvillimet politike dhe formimin e institucioneve të vendit.
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se deklarata e fundit e ish-presidentes duhet parë si qasje për ulje të tensioneve politike, mirëpo nuk e përjashtoi që një veprim i tillë të jetë edhe një tërheqje taktike e Osmanit.
“Deklarata se ‘emri i saj nuk ka qenë dhe nuk do të jetë asnjëherë pengesë për krijimin e institucioneve’ është, para së gjithash, një mesazh politik që vendos theksin te funksionimi i institucioneve mbi interesat personale. Në një demokraci parlamentare, kjo është një qasje që, në parim, kontribuon në uljen e tensioneve politike.
Nëse kjo deklaratë nënkupton një tërheqje taktike nga ambicia për një mandat të ri presidencial apo është rezultat i një rivlerësimi pas zgjedhjeve të 7 qershorit, nuk mund të thuhet me siguri. Këto mbeten interpretime politike dhe jo fakte të provuara”, shtjelloi ai.
Krahas kësaj, Vuniqi shpjegoi se si ka ndikuar rezultati zgjedhor në kalkulimet e liderëve politikë dhe synimet e tyre.
Madje, sipas tij, standardi që duhet të vlejë për të gjithë është se asnjë emër nuk duhet të jetë pengesë për krijimin e institucioneve të shtetit.
“Megjithatë, është e natyrshme që çdo rezultat zgjedhor të ndikojë në kalkulimet e aktorëve politikë. Zgjedhjet nuk përcaktojnë vetëm raportin e forcave në Kuvend, por edhe realizueshmërinë e kandidaturave për funksionet më të larta shtetërore. Në këtë kuptim, çdo deklaratë e bërë pas një procesi zgjedhor lexohet edhe në kontekstin e aritmetikës së re politike.
Më e rëndësishmja, sipas mendimit tim, është që debati të mos përqendrohet te emrat, por te parimet. Kosova ka nevojë për institucione që ndërtohen mbi konsensus kushtetues dhe funksionim normal demokratik, jo mbi varësinë nga një individ i vetëm. Nëse të gjithë aktorët politikë pranojnë se asnjë emër nuk duhet të jetë pengesë për krijimin e institucioneve, atëherë ky duhet të jetë një standard që vlen për të gjithë, pa përjashtim”.
Në fund, ai shtoi se deklarata e Osmanit krijon hapësirë për një kompromis të mundshëm institucional.
“Në fund, gjykimin për motivet politike ua lë qytetarëve dhe zhvillimeve të ardhshme. Ajo që mund të thuhet sot është se deklarata krijon hapësirë për kompromis institucional, ndërsa nëse ajo përfaqëson edhe një ndryshim strategjie politike, kjo do të bëhet e qartë vetëm nga veprimet konkrete që do të pasojnë”, përmbylli Agim Vuniqi për “Bota sot”.