Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve ( babë e bir) , Beshir Hamza dhe I.H., lidhur me vrasjen e rëndë të ndodhur në fshatin Zlipotok të Dragashit.
Sipas Prokurorisë, rasti lidhet me vrasjen e hoxhës Gazmen Tairovci ., e cila ka ndodhur më 29 qershor rreth orës 23:00, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme për shfrytëzimin e një prone.
“Sipas kërkesës, i pandehuri B.H., më 29.06.2026, rreth orës 23:00, në fshatin Zlipotok, Komuna e Dragashit, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.T. Sipas hetimeve të deritanishme, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme ndërmjet të pandehurit dhe viktimës lidhur me shfrytëzimin e një prone (livadhi). I pandehuri B.H., i ka shkaktuar viktimës lëndime me mjet të mprehtë (thikë), si pasojë e të cilave G.T., ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Me këto veprime, B.H., ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
“Ndërkaq, i pandehuri I.H., (babai i të pandehurit B.H.) dyshohet se, edhe pse ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe ka pasur mundësi të ofrojë ndihmë pa rrezikuar veten apo të tjerët, nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i ofruar ndihmë viktimës, e cila ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën. Me këto veprime, I.H., ka kryer veprën penale “Mosdhënia e ndihmës” nga neni 188, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Prokuroria ka bërë të ditur se është e përkushtuar në zbardhjen e plotë të rastit dhe vazhdimin e hetimeve./Arbresh.info