Më 28 qershor, në ditën e Vidovdanit që lidhet me Betejën e Kosovës, Ushtria e Serbisë pritet të mbajë një stërvitje ushtarake në poligonin “Pasuljanske Livade”. Gjatë këtij aktiviteti do të prezantohet edhe armatimi më i ri i forcave të armatosura serbe.
Në një prononcim për “Bota sot”, Gjeneral Major Prof. Dr. Muhamet Racaj ka vlerësuar se përzgjedhja e kësaj date për zhvillimin e stërvitjes nuk mund të shihet si një veprim i zakonshëm ushtarak.
Sipas tij, kjo zgjedhje mbart një ngarkesë të qartë politike dhe strategjike.
“Vendimi i Serbisë për të organizuar një stërvitje të madhe ushtarake pikërisht më 28 qershor, në ditën e Vidovdanit, nuk mund të shihet vetëm si një aktivitet rutinë ushtarak. Përzgjedhja e kësaj date bart një simbolikë të fuqishme historike dhe politike, e cila synon të dërgojë mesazhe të shumëfishta, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë rajonal”, ka thënë ai.
Racaj ka theksuar se kjo stërvitje përbën një shfaqje të kapaciteteve ushtarake të Serbisë dhe një sinjal të drejtpërdrejtë për vendet e rajonit.
“Së pari, kjo stërvitje paraqet një demonstrim të kapaciteteve ushtarake dhe të fuqisë shtetërore të Serbisë. Prezantimi i armatimit më të ri në një datë me peshë të veçantë historike synon të projektojë imazhin e një shteti me aftësi të larta mbrojtëse – sulmuese ushtarake, duke dërguar sinjale edhe ndaj vendeve fqinje, veçanërisht Republikës së Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.
Së dyti, zhvillimi i kësaj stërvitjeje duhet parë edhe në kontekstin e situatës së brendshme politike në Serbi. Në një periudhë të shoqëruar me protesta dhe pakënaqësi të qytetarëve, përfshirë demonstratat e studentëve, demonstrimi i forcës ushtarake mund të interpretohet si një përpjekje për të forcuar autoritetin e institucioneve shtetërore, për të mobilizuar opinionin publik rreth narrativës patriotike dhe për ta zhvendosur vëmendjen nga sfidat e brendshme”, ka vlerësuar ai.
Në fund, ai ka nënvizuar se ky aktivitet ushtarak përcjell një mesazh edhe për bashkësinë ndërkombëtare, ndërsa ka tërhequr vëmendjen se përdorimi i simbolikës historike në një rajon të ndjeshëm mund të ketë pasoja për sigurinë rajonale.
“Njëkohësisht, kjo stërvitje përçon edhe një mesazh strategjik ndaj faktorëve ndërkombëtarë se Serbia synon të mbetet një aktor me peshë ushtarake në Ballkan dhe të ruajë kapacitetet e saj për të mbrojtur interesat kombëtare sipas vizionit të saj politik.
Megjithatë, në kushtet e një rajoni që ende përballet me sfida të sigurisë, përdorimi i simbolikës historike dhe demonstrimet e fuqisë ushtarake kërkojnë kujdes të veçantë. Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor ndërtohet mbi dialogun, bashkëpunimin rajonal dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare, ndërsa retorika dhe simbolika që mund të interpretohen si kërcënuese rrezikojnë të rrisin mosbesimin dhe tensionet në rajon”, ka përfunduar Racaj për “Bota sot”.