“M’u lut për një foto”, Trump ofendon kryeministren italiane, vjen reagimi i fortë i Giorgia Melonit (Video)

Sapo ka nisur një përplasje e re mes presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni, e cila nisi pas publikimit të një bisede telefonike mes Trump dhe një gazetari të emisionit televiziv të La7, “L’aria che tira”.

 

Trump deklaroi se në samitin e G7, Meloni i kishte “ardhur keq”, pasi sipas tij kishte kërkuar me çdo kusht të bënte një foto me të. Meloni u kundërpërgjigj duke thënë se gjithçka ishte e trilluar dhe e akuzoi Trump se po dëmton marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Bashkimit Europian.

G7 është takimi i krerëve të shteteve dhe qeverive të shtatë demokracive më të rëndësishme në botë dhe u mbajt në Francë nga 15 deri më 17 qershor. Këto ditë ka qarkulluar një video ku Trump dhe Meloni shihen duke biseduar të ulur në një divan.

 

Gazetari i La7, Daniele Compatangelo, i cili e telefonoi Trumpin dhe bisedoi me të, e pyeti se çfarë kishin diskutuar me Melonin. Trump u përgjigj me një ton dukshëm të irrituar: “Ndoshta ajo është e lumtur që unë fola me të! Nuk isha i detyruar të flisja me të!”

 

Ai nuk tregoi përmbajtjen e bisedës, por shtoi: “Ajo më luti të bënim një foto. E donte patjetër një foto me mua! Nuk do ta bëja, por më erdhi keq për të!”

Telefonata nuk u publikua në versionin origjinal, por vetëm në një version të përkthyer dhe të interpretuar për emisionin. Megjithatë, “L’aria che tira” i vuri në dispozicion gazetës Il Post versionin e plotë në gjuhën origjinale.

 

Meloni reagoi me një video ku deklaroi se fjalët e Trump janë: “Tërësisht të sajuara.” Ajo shtoi: “Jam sinqerisht e habitur, nuk e kuptoj pse presidenti i Shteteve të Bashkuara sillet kështu me aleatët e tij.”

Më tej, Meloni tha: “Më vjen keq që ai nuk tregon të njëjtën vendosmëri me armiqtë e Perëndimit, me armiqtë e Shteteve të Bashkuara, ndërsa me liderë të tjerë sillet shumë më i butë.”

Video mbyllet me një deklaratë të fortë: “Por një gjë duhet ta kujtojë: unë dhe Italia nuk lutemi kurrë.”