Pse disa i pengon Dejona Mihali nga Tirana? – Ka kaluar koha kur aktivistë nga Tirana deportoheshin nga Kosova, ndërsa Radoiçiqi, Veselinoviqi dhe bandat e tyre kriminale lëviznin lirshëm dhe sfidonin institucionet

Nga Enver Dugolli

Prej vitesh, disa eksponentë politikë, mediatikë e korporativë në Kosovë sulmojnë Dejonën, Elvisin, Arbërin, Hysin, Bojkenin dhe shumë aktivistë të tjerë nga Tirana. Duke parë natyrën e këtyre sulmeve, duket se arsyeja kryesore është vetëm një: ata janë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

 

Pra, i pengon fakti që janë nga Tirana dhe mbështesin Vetëvendosjen. Dhe meqë nuk mund t’u gjejnë asnjë lidhje me Serbinë apo me Vuçiqin, atëherë shpallen si problem. Për këtë arsye bëhen objekt sharjesh, fyerjesh dhe sulmesh të vazhdueshme.

Por ku ishin këta zëra kur disa shqiptarë, po ashtu nga Tirana, madje edhe në pozita të larta shtetërore, përqafonin Vuçiqin apo hidhnin dyshime mbi atë se kujt i takon veriu i Kosovës? Pse nuk dëgjoheshin atëherë, ndërsa dëgjohen sot?

 

Aktiviteti i këtyre aktivistëve nga Tirana ka qenë dhe mbetet në funksion të mbrojtjes së sovranitetit të Republikës së Kosovës, duke mbështetur projektin e Vetëvendosjes për një shtet të fortë, me institucione të forta, pa krim e pa korrupsion.

Vetëvendosja dhe Kosova janë me fat që kanë motra e vëllezër nga Shqipëria, të cilët nuk i nënshtrohen lakmisë, favoreve apo interesave të ngushta, por i qëndrojnë besnikë kauzës kombëtare dhe shtetërore.

Ka kaluar koha (dhe nuk do të kthehet më kurrë) kur aktivistë nga Tirana ndaloheshin, arrestoheshin e deportoheshin nga shteti i Kosovës vetëm pse angazhoheshin për të drejtat e shqiptarëve. Ka kaluar koha kur ata përndiqeshin, ndërsa Radoiçiqi, Veselinoviqi dhe bandat e tyre kriminale lëviznin lirshëm, sfidonin institucionet dhe vepronin mbi ligjin.