Franca dhe Gjermania marrin një vendim që prekë edhe Koosvën

Një grup shtetesh anëtare të Bashkimit Evropian (BE) kanë propozuar që anëtarët e ardhshëm të bllokut, gjatë një periudhe kalimtare pas pranimit në bllok, të kenë të drejta të kufizuara.

 

Në mesin e kufizimeve kyç është propozimi që anëtarët e rinj të kenë të drejtë të kufizuar vote.

“BE-ja duhet të zhvillojë një diskutim të detajuar mbi mundësinë e kufizimeve të përkohshme, kalimtare të së drejtës së votës për shtetet e reja anëtare, veçanërisht në fushat e acquis-së së BE-së ku kërkohet unanimitet [për shembull zgjerimi, politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë, korniza shumëvjeçare financiare], duke marrë parasysh ndjeshmërinë juridike dhe politike”, thuhet në të ashtuquajturin non-paper të nënshkruar nga Gjermania, Franca dhe shtetet e Beneluksit (Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu).

 

Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në këtë dokument jozyrtar.

 

Non-paper është dokument joformal që përdoret në qarqet diplomatike evropiane për paraqitjen e ideve të reja, testimin e qëndrimeve ose propozimin e zgjidhjeve, pa e detyruar palën që e paraqet atë të marrë qëndrim formal.

Për momentin, i vetmi shtet me gjasa reale për anëtarësim të ardhshëm në BE është Mali i Zi, pasi Bashkimi Evropian ka marrë vendim për formimin e një grupi ad hoc që do të punojë në hartimin e draft-marrëveshjes së anëtarësimit.

Kjo është hera e parë pas 17 vjetësh që BE-ja nis punën për tekstin e një marrëveshjeje anëtarësimi, pas vitit 2009, kur i njëjti proces filloi për Kroacinë.

Kroacia është anëtare me të drejta të plota e BE-së që nga viti 2013, gjë që përbën periudhën më të gjatë në historinë e bllokut evropian pa zgjerim, përkatësisht pranim të anëtarëve të rinj.

Në dokument theksohet se situata gjeopolitike ka ndryshuar ndjeshëm që nga hyrja e Kroacisë në BE dhe se, siç thuhet, zgjerimi nuk shihet më vetëm si një proces teknik i bazuar në merita, por si një investim strategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës.