Kush do ta formojë Qeverinë? Zbulohen disa skenarë koalicionesh

Kosova të dielën mbajti zgjedhjet e parakohshme parlamentare, zgjedhje këto që sipas rezultateve të deri tanishme partia fituese mund të formojë institucionet, por bashkëpunimi me partitë tjera është i domosdoshëm.

 

Profesori i Kushtetutës, Kadri Kryeziu ka treguar se cilat veprime do të marrin proceduralisht partitë politike, pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

“Proceduralisht unë mendoj që me pas legalitet dhe legjitimitet të plotë duhet të konstetuohet parlamenti, pastaj qeveria dhe më vonë vjen edhe presidenti, duke pasur parasysh se ne e kemi një president ushtrues detyre, kështu që aty janë dy muaj ditë”, ka thënë Kryeziu.

Kryeziu poashtu tha se parlamenti nuk është në funksion legjitim nëse nuk e ka në funksion qeverinë.

 

“Së pari duhet parlamenti, kryetari i parlamentit, qeveria dhe pastaj krijohet një legjitimitet dhe legalitet i plotë i parlamentit, sepse parlamenti nuk është legal edhe nuk ka legjitimitet të plotë nëse nuk ka në funksion qeverinë”, ka thënë Kyreziu.

Sipas KQZ-së, procesi përfundimtar i certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, pritet të bëhet deri më datën 6 korrik, ndërsa analistët politikë kanë folur për “Bota sot” për skenarët e mundshëm

Halili: Në aspektin kushtetues dhe politik, shihen disa skenarë të mundshëm

ImageNijazi HaliliFoto galeri
Nijazi Halili, profesor thotë se në rrethanat e krijuara çështja nuk është më vetëm kush ka fituar më shumë vota, por kush ka kapacitetin të ndërtojë shumicën e qëndrueshme dhe të sigurojë stabilitet qeverisës.

“Zgjedhjet e 7 qershorit, të cilat nuk prodhuan një shumicë të qartë parlamentare, e vendosin vendin në një fazë klasike të negocimit politik, ku vullneti elektoral duhet të shndërrohet në marrëveshje institucionale. Në këto rrethana, çështja nuk është më vetëm se kush ka fituar më shumë vota, por kush ka kapacitetin të ndërtojë shumicë të qëndrueshme dhe të sigurojë stabilitet qeverisës”, deklaron Halili.

Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” përmend disa skenarë të mundshëm dhe sipas tij në këtë proces roli i partive politike është thelbësisht pragmatik.

“Në aspektin kushtetues dhe politik, shihen disa skenarë të mundshëm. Së pari, formimi i një koalicioni të gjerë ndërmjet partive të mëdha, i cili do të garantonte stabilitet më të lartë institucional, por që kërkon kompromise të thella programore dhe politike. Së dyti, një koalicion më i ngushtë i udhëhequr nga partia e parë, i mbështetur nga parti më të vogla ose deputetë të pavarur, që përbën skenarin më të zakonshëm në sistemet pluraliste të fragmentuara. Së treti, në rast të dështimit të marrëveshjeve politike, mund të shkohet drejt bllokadës institucionale dhe, eventualisht, zgjedhjeve të reja. Në këtë proces, roli i partive politike është thelbësisht pragmatik”, shprehet Halili për “Bota sot”.

Lëvizja Vetëvendosje, sipas Halilit, pritet të synojë ruajtje e boshtit qeverisës, ndërsa LDK, PDK pritet të veprojnë si faktorë balancues institucionalë, kurse AAK mund të kenë rol përcaktues në krijimin e shumicës parlamentare.

“Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti me peshën më të madhe elektorale, pritet të synojë ruajtjen e boshtit të qeverisjes dhe ndërtimin e shumicës mbi baza programore. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës pritet të veprojnë si faktorë balancues institucionalë, duke peshuar pjesëmarrjen në koalicion në varësi të ndikimit real në ekzekutiv dhe marrëveshjeve për pozicionet kyçe shtetërore. Ndërkohë, partitë më të vogla, përfshirë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, mund të kenë rol përcaktues në krijimin e shumicës parlamentare. Në këtë kuptim, formimi i qeverisë dhe zgjedhja e presidentit mbeten të ndërlidhura ngushtë si një paketë politike kompromisi. Pa një marrëveshje të tillë gjithëpërfshirëse, vendi rrezikon zgjatje të pasigurisë institucionale. Prandaj, periudha në vijim nuk do të përcaktohet vetëm nga numrat parlamentarë, por nga aftësia e aktorëve politikë për të ndërtuar konsensus funksional në interes të stabilitetit shtetëror”, përfundon profesori.

Sipas të dhënave të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 84,509 vota ose 39.65 për qind, duke mbajtur një epërsi të konsiderueshme ndaj partive tjera, shkruan “Bota sot”.

Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 41,407 vota ose 19.43 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mban pozitën e tretë me 32,413 vota, përkatësisht 15.21 për qind.

Ndërkohë, Lista Serbe ka marrë 28,056 vota ose 13.16 për qind, duke u renditur e katërta në nivel vendi, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 13,394 vota ose 6.28 për qind.

Megjithatë, bëhet fjalë për rezultate ende jo përfundimtare, pasi numërimi i votave vazhdon dhe renditja përfundimtare mund të pësojë ndryshime deri në përmbylljen e plotë të procesit.

Përqindja e ulët në zgjedhje dhe nevoja për bashkëpunim

Kurse, politologu Adnan Qaka thotë se fituesit e vërtetë të këtyre zgjedhjeve janë qytetarët.

ImageAdnan QakaFoto galeri
Sipas tij, qytetarët janë lodhur nga bllokadat politike.

“Zgjedhjet e 7 qershorit sollën një fitore për Lëvizjen Vetëvendosje, por jo ashtu siç ishte pritur dhe jo me rezultatin që shumëkush e kishte parashikuar. Në anën tjetër, opozita nuk tregoi suksesin që po mundohet ta paraqesë në opinionin publik. Në realitet, në këto zgjedhje nuk mendoj se ka arsye të jetë e kënaqur asnjë parti që tashmë do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Arsyeja kryesore është fakti se mbi 64% e elekoratit nuk mori pjesë në votime, gjë që përbën një dëshmi të qartë se qytetarët janë të zhgënjyer me të gjitha partitë parlamentare dhe kanë zgjedhur t’i ndëshkojnë ato përmes mos daljes në zgjedhje. Edhe pse LDK shënoi një rritje të lehtë, opozita nuk duhet të jetë e kënaqur as me përqindjet që mori dhe as me pjesëmarrjen tepër të ulët të qytetarëve në këto zgjedhje. Fituesit e vërtetë të këtyre zgjedhjeve janë pikërisht ata qytetarë që nuk dolën fare në votime, sepse me ketë veprim i ndëshkuan të gjitha partitë parlamentare. Ky ishte një sinjal i qartë se qytetarët janë lodhur nga bllokadat politike të pozitës dhe opozitës, të cilat për një vit e gjysmë pothuajse tri herë e kanë dërguar vendin në zgjedhje parlamentare. Populli jo vetëm që është lodhur, por edhe ka dëshmuar qartë se nuk sheh një alternativë të mirëfilltë politike në shtetin tonë. Këtë e kam thënë vazhdimisht. Prandaj, fakti që në këto zgjedhje morën pjesë rreth 200 mijë votues më pak, apo 25.7% me pak krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025, tregon qartë se dalja e ulët në zgjedhje ishte një ndëshkim për të gjitha partitë politike”, deklaron Qaka.

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” kërkon që partitë të reflektojnë, gjersa e sheh të mundur edhe marrëveshjen e LVV-së me LDK-në apo PDK-në.

“Për këtë arsye, tani është koha për reflektim dhe për negociata serioze politike ndërmjet partive që kanë siguruar përfaqësim në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të arrihet një kompromis për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit të vendit. Nga LDK dhe PDK kemi dëgjuar gjatë fushatës zgjedhore deklarata shumë të ashpra, përmes të cilave është mohuar çdo mundësi bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje. Kemi pasur rastin të dëgjojmë deklaratën e kryetarit të Skenderajt dhe anëtarit të Kryesisë Qendrore të PDK-së, z. Sami Lushtakut, i cili e quajti kryeministrin Albin Kurti “Albin Serbia” dhe deklaroi se në asnjë mënyrë nuk do të ketë koalicion me Vetëvendosjen, madje duke thënë se nëse kjo ndodh, ai do të largohej nga PDK-ja. Po ashtu, nënkryetari i LDK-së, Kujtim Shala, në një debat televiziv e quajti kryeministrin e Kosovës tradhtar të kombit, një akuzë të cilën e ka përsëritur disa herë, pa paraqitur prova dhe argumente bindëse për një pretendim kaq të rëndë ndaj kryeministrit të vendit, z. Albin Kurti, si dhe duke mohuar në mënyrë kategorike çdo mundësie për një koalicion qeverisës me të. Megjithatë, duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me parti dhe liderë politikë që vazhdimisht kanë dëshmuar mungesë parimesh dhe që interesin kombëtar nuk e kanë vendosur në plan të parë, nuk mund të përjashtohet mundësia e pazareve politike për të arritur një marrëveshje dhe për të konsoliduar institucionet. Prandaj, mbetet e mundur që, pavarësisht deklaratave të fushatës, të ketë marrëveshje ndërmjet partive për formimin e institucioneve”, thekson politologu.

Ai konsideron se asnjëra parti nuk ka të drejtë morale të refuzojë tjetrën në emër të veprimeve të së kaluarës apo së të tashmes, duke shtuar se vendi nuk duhet të futet përsëri në një cikël të ri zgjedhjesh.

“Partitë politike duhet të gjejnë një ujdi dhe sa më shpejt të mundësojnë konstituimin e të gjitha institucioneve shtetërore. Duke pasur parasysh se të gjitha partitë parlamentare që aktualisht veprojnë në skenën politike të Kosovës kanë bërë degradime dhe shkelje të rënda të interesit kombëtar, asnjëra nuk ka të drejtë morale ta refuzojë tjetrën në emër të veprimeve të së kaluarës apo të së tashmes. Në fakt, të gjitha kanë kontribuar në forma të ndryshme në dëmtimin e vendit dhe për këtë arsye duhet të gjejnë një zgjidhje dhe të mos e çojnë sërish shtetin në zgjedhje të reja.

Çdo qeveri që do të formohej në këto rrethana do të ishte një qeveri e brishtë dhe pa legjitimitetin e plotë që do të duhej të kishte, por pavarësisht kësaj, qytetarët janë të lodhur nga proceset e vazhdueshme zgjedhore dhe vendi nuk duhet të futet përsëri në një cikël të ri zgjedhjesh. Interes kombëtar është krijimi i institucioneve funksionale, por po aq interes kombëtar është edhe krijimi i alternativave të reja politike në Kosovë, alternativa që do të përfaqësonin në mënyrë të mirëfilltë interesat kombëtare.

Klasa aktuale politike, pa përjashtim, e ka degraduar jetën institucionale, e ka demoralizuar shoqërinë, ka kontribuar në humbjen e shpresës tek qytetarët dhe mban përgjegjësi të madhe për depopullimin e vendit. Nuk mund të ketë fitore të vërtetë për asnjë parti politike derisa të rikthehet shpresa tek qytetarët dhe derisa të ndalet largimi masiv i qytetarëve nga shteti ynë”, përfundon Qaka për “Bota sot”.