Mësohet kur transferohen 100€ për punëtorët e sektorit privat

Ka përfunduar afati për aplikimin për mbështetjen e njëhershme prej 100 euro për punëtorët e sektorit privat, ndërsa institucionet tashmë kanë nisur procesin e verifikimit të aplikimeve të dorëzuara nga qytetarët. Afati zyrtar për aplikim ishte deri më 5 qershor 2026.

Sipas informacioneve që ka siguruar Gazeta Minuti nga burime brenda institucioneve përkatëse, aktualisht po bëhet kontrollimi dhe verifikimi i të dhënave të aplikuesve, përfshirë përputhshmërinë e kritereve dhe saktësinë e llogarive bankare.

Burimet bëjnë të ditur se nëse procesi i verifikimit përfundon sipas planifikimit, transferimi i mjeteve prej 100 euro për përfituesit mund të nisë në fund të kësaj jave ose në ditët e para të javës së ardhshme.

Kujtojmë se nga kjo masë përfitojnë punëtorët e sektorit privat, organizatat joqeveritare dhe punëtorët e entiteteve publike që nuk paguhen nga lista shtetërore e pagave, me kusht që të kenë të ardhura mujore bruto deri në 1,000 euro dhe të jenë të deklaruar në ATK sipas kritereve të përcaktuara.

Megjithëse ende nuk ka një datë zyrtare për ekzekutimin e pagesave, pritjet janë që mijëra aplikues të marrin mbështetjen financiare gjatë ditëve në vijim, sapo të përfundojë verifikimi i plotë i aplikimeve.