Zhvillimet e fundit në skenën politike të Kosovës duket se kanë ndryshuar dukshëm raportet mes partive opozitare. Pas afrimit dhe përkrahjes së dhënë nga Fatmir Limaj ndaj PDK-së, burime politike dhe vlerësime të ndryshme flasin për një rritje të ndjeshme të mbështetjes për Partinë Demokratike të Kosovës, shkruan Gazeta Minuti.
Ky bashkim po konsiderohet si një goditje e fortë për LDK-në, e cila së fundmi ishte shfaqur mjaft optimiste për rikthimin e saj në skenën politike. Brenda partisë kishte pritje të mëdha se me rikthimin e figurave të afërta me presidenten Vjosa Osmani dhe mobilizimin e strukturave, LDK do të arrinte të pozicionohej të paktën si partia e dytë në vend.
Megjithatë, sipas zhvillimeve të fundit politike, entuziazmi në LDK nuk ka zgjatur shumë. Mbështetja e Limajt për PDK-në po shihet si faktor që ka konsoliduar votën opozitare rreth kësaj partie, duke bërë që PDK të rikthehet fuqishëm në pozitën e forcës së dytë politike në Kosovë.
Analistë politikë vlerësojnë se ky afrim mund të ketë ndikim të madh sidomos në zonat ku tradicionalisht Nisma dhe PDK kanë pasur elektorat të përbashkët, ndërsa LDK rrezikon të humbasë terren në garën për vendin e dytë.
Në qarqet politike po komentohet se opozita tashmë po hyn në një fazë të re rreshtimesh, ku aleancat dhe mbështetjet e ndërsjella mund të jenë vendimtare për rezultatin final në zgjedhjet e ardhshme.