Alarm në Serbi, Beogradi ne ‘flake’ -VIDEO

Dhjetëra mijëra njerëz, të udhëhequr nga studentët universitarë, janë mbledhur në kryeqytetin serb për të protestuar kundër qeverisë dhe për të kërkuar zgjedhje të parakohshme.

 

Tragjedia në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona, nxiti protesta kundër korrupsionit, duke kërkuar një hetim transparent dhe duke detyruar kryeministrin e atëhershëm, Milos Vuçeviç, të japë dorëheqjen.

 

Me studentët në krye të lëvizjes antikorrupsion, demonstratat janë shndërruar në një fushatë për t’i bërë presion presidentit Aleksandar Vuçiç që të shpallë zgjedhje të parakohshme.

Vuçiç deklaroi këtë javë se votimet mund të mbahen mes shtatorit dhe nëntorit të këtij viti.

Protestuesit u drejtuan drejt një sheshi qendror në kryeqytetin Beograd nga disa drejtime, shumë prej tyre duke mbajtur pankarta dhe veshur bluza me sloganin “Studentët fitojnë”, motoja e lëvizjes rinore.

Kolona makinash mbërritën në Beograd nga qytete të tjera të Serbisë më herët gjatë ditës.

Ndërkohë, mbështetësit besnikë të Vuçiçit u mblodhën në një kamp në parkun pranë ndërtesës së presidencës serbe, të ngritur prej tij para një proteste tjetër të madhe antigovernamentale marsin e kaluar, si një “mburojë njerëzore” kundër protestuesve. Muzika folklorike dëgjohej me zë të lartë nga zona e rrethuar me gardh dhe e mbikëqyrur nga policia speciale e pajisur plotësisht.